Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës/ Kievi zyrtar: Kemi rimarrë nën kontroll 8 vendbanime

Botë | 3 vite më parë

Ukraina ka bërë të ditur se ka rimarrë nën kontroll tetë vendbanime në dy javët e fundit ndërsa kundërofensiva e saj po vijon.

Guvernatori i rajonit të Belgorodit të Rusisë tha se shtatë persona u plagosën në granatimet ukrainase të qytetit Valuyki. Trupat ruse kanë “shumë gjasa” të zhvendosen në qytetin lindor të Bakhmut dhe rajonin juglindor të Zaporizhia, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, ka deklaruar se situata në lindje të vendit është e vështirë pasi beteja të ashpra vijojnë të zhvillohen.

“Armiku ka ngritur forcat e tij dhe po kryen një ofensivë aktive në drejtimet Lyman dhe Kupyan. Është regjistruar aktivitet i lartë i granatimeve armike. Betejat e ashpra vazhdojnë.  Armiku nuk heq dorë nga planet e tij për të arritur kufijtë e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut. Aktualisht, kjo është linja kryesore sulmuese e armikut”, , tha Maliar në Telegram.

Më herët të hënën, Maliar tha se Ukraina kishte rimarrë tetë vendbanime që kur Kievi filloi kundërsulmin  dy javë më parë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë thotë se forcat e saj kanë zmbrapsur sulme të shumta ukrainase ndërsa Kievi ndjek një kundërofensivë në përpjekje për të rimarrë territorin e kontrolluar nga Rusia.

Sipas Moskës, katër sulme janë zmbrapsur në perëndim të qytetit të Donetsk në provincën lindore të Donetsk dhe zonave rreth Pervomaiske dhe Stepove në provincën Mykolaiv në jug dhe Staromykhailivka në provincën Donetsk.

Gjithashtu, Moska zyrtare bën të ditur se forcat ruse zmbrapsën dy sulme në provincën fqinje Zaporizhia pranë Mala Tokmachka dhe tre në Donetskun jugor, transmeton Al Jazeera. 

Më herët gjatë ditës, ministria tha se kishte penguar një përpjekje ukrainase për të marrë vendbanimin Novodonetske në Donetsk.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme