Gjermania do miratojë reformën e shtetësisë, Scholz: Do rrisë pjesëmarrjen sociale e politike të emigrantëve

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka bërë të ditur se vendi i tij këtë vit do ta miratojë reformën në ligjin për shtetësinë duke iu mundësuar emigrantëve shtetësinë e shumëfishtë.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Scholz tha se qeveria e tij e koalicionit aktualisht po përgatit një projektligj që do të lehtësojë procesin e natyralizimit.
“Me reformën, kushdo që merr shtetësinë gjermane, do të mund ta mbajë shtetësinë e mëparshme”, tha kancelari gjerman, duke shtuar se aktualisht ky është rasti për shtetasit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe disa vendeve të tjera.
Siç theksoi ai, kjo është një reformë e nevojshme dhe “tani po hyn në përfundim dhe kjo do të realizohet brenda këtij viti”.
Mbi 10 milionë njerëz nga popullsia prej 84-milionësh e Gjermanisë janë të huaj dhe shumë prej tyre nuk kanë shtetësi gjermane, edhe pse kanë jetuar prej kohësh në këtë vend.
Kancelari gjerman Scholz vazhdimisht ka deklaruar se përshpejtimi i procesit të natyralizimit do të rrisë integrimin dhe pjesëmarrjen sociale e politike të emigrantëve.
Gazetar Artur Mata
/Rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




