Raporti kritikon ashpër Boris Johnson: Mashtroi qëllimisht Parlamentin për ‘partygate’

Botë | 3 vite më parë

Një komitet ligjvënësish në Mbretërinë e Bashkuar kritikoi ashpër të enjten ish-kryeministrin britanik, Boris Johnson, duke deklaruar se ai gënjeu Parlamentin për festat që shkelnin ligjin për bllokimin nga pandemia. Raporti shkon edhe më tej duke e akuzuar se Johnson se ishte bashkëpunëtor edhe në fushatën për të frikësuar ata që po hetonin sjelljen e tij gjatë pandemisë së koronavirusit.

Komiteti i Privilegjeve të Dhomës së Komunave zbuloi se veprimet e Johnson ishin një shkelje kaq flagrante e rregullave, saqë ato siguronin një pezullim 90-ditor nga Parlamenti, ku ai ende qëndroi edhe pasi u largua nga posti i kryeministrit vitin e kaluar. 

Sanksioni i komitetit do të kishte qenë më se i mjaftueshëm për të shkaktuar zgjedhje të pjesshme, gjë që mund t’i kushtonte Johnson-it vendin e tij në Parlament, por ai e shmangu këtë poshtërim, duke dhënë dorëheqje javën e kaluar, pasi komisioni i dha atij njoftimin paraprak për gjetjet që kishte bërë.

Publikimi i raportit 77 faqesh i komitetit të Commons të enjten, shkaktoi shkëmbim të ashpër akuzash. 

Johnson përsëriti pretendimin e tij se trupi gjykues ishte një “gjykatë kangur” që kishte  vendosur ta larguar atë nga Parlamenti. 

Komiteti tha se mbrojtja që ai bëri ishte një justifikim.

Raporti dhe reagimi ndaj tij nxjerrin në pah betejën mbi trashëgiminë e Johnson-it, ndërsa Britania përgatitet për zgjedhje që mund të ndryshojnë rrënjësisht politikën sociale dhe ekonomike të një kombi që po lufton për të kapërcyer krizën që ka rritur kostot e jetesës, si dhe ka shtuar ankesat për shërbimet qeveritare, duke filluar nga kujdesi shëndetësor deri tek zbatimi i ligjit.

Partia Konservatore, e cila ka qeverisur Britaninë e Madhe që nga viti 2010, mbetet shumë prapa Partisë Laburiste në sondazhet e opinionit publik. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme