Putin pretendon se kundërofensiva e Ukrainës po dështon

Botë | 3 vite më parë

Presidenti rus Vladimir Putin ka pretenduar se kundërofensiva ukrainase ka qenë e pasuksesshme dhe ushtria e Kievit kishte pësuar humbje të mëdha, duke folur në një takim me korrespondentë të luftës, Putin theksoi se humbjet e Kievit po I afroheshin një niveli katastrofik, siç u shpreh ai. 

Pa dhënë prova të mbështesin pretendimet e tij, Putin tha se ukrainasit kishin humbur mbi 160 tanke, ndërsa Rusia 54. 

Megjithëse pjesa më e madhe e deklaratave të putin gjatë takimit me gazetarët ishin përgjithësisht vetë përgëzuese, ai pranoi se autoritetet e Moskës mund të kishin vepruar më mirë në lidhje me sulmet ndërkufitare të ndërmarra nga territori ukrainas drejt Rusisë. 

Ai u shpreh se po shqyrtonte mundësinë e krijimin në territor ukrainas të një zone e cila do të mbulonte një distancë që do ta bënte të pamundur prekjen e territorit rus nga Ukraina. 

Putin gjithashtu theksoi se Rusia kishte mungesë municionesh të precesionit të lartë, pajisjeve të komunikimit, avionëve apo dronëve pavarësisht se prodhimi i armëve kishte shënuar rritje të ndejshme gjatë vitit të fundit.  Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky ndërkohë ka mohuar se kundërofensiva e ushtrisë së tij po dështonte.

“Po lëvizim përpara” tha ai gjatë video fjalimit të mbajtur në orët e vona të së martës, duke falënderuar trupat ukrainase për çdo hap dhe çdo metër tokë që po çlironin nga pushtuesit rusë .

Kundërofensiva e Kievit është në fazat e saj të hershme, dhe janë arritur fitore modeste në krahinat e Donestkut dhe Zaporixhias.

Zelenski gjithashtu pretendoi se forcat ukrainase kishin avancuar në Bahut.  Ndërkaq, ushtria ukrainase u shpreh këtë të mërkurë se humbjet e rusëve gjatë 24 orëve të fundit përfshinin 680 ushtarë, tetë tanke dhe një sistem të mbrojtjes ajrore. 

Gazetare Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme