Tensionet/ Nisin bisedimet SHBA-Kinë, Uashtingtoni: Deri tani janë produktive

Botë | 3 vite më parë

Departamenti i Shtetit i Sheteve të Bashkuara ka bërë të ditur se zyrtarët amerikanë dhe kinezë kanë zhvilluar bisedime produktive kur tensionet mes dy vendeve janë në rritje.

Daniel Kritenbrink, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe Sarah Beran, drejtore e lartë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Kinën, u takuan me zyrtarët kinezë Ma Zhaoxu dhe Yang Tao.

Bisedimet e nivelit të mesëm, të cilat shënojnë vazhdimin e diplomacisë midis dy vendeve, pavarësisht konkurrencës intensifikuar, vijnë dy ditë pasi ushtria amerikane akuzoi Kinën për manovra “të pasigurta” pranë një anijeje ushtarake amerikane në ngushticën e Tajvanit.

“Të dy palët patën diskutime të sinqerta dhe produktive si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbajtur linja të hapura komunikimi dhe për të ndërtuar mbi diplomacinë e nivelit të lartë të fundit midis dy vendeve”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

Vizita e Kritenbrink pasoi gjithashtu një mospërfillje të dukshme javën e kaluar pasi Pekini refuzoi një kërkesë për një takim zyrtar midis Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologut të tij kinez, Li Shangfu, në margjinat e një samiti të sigurisë në Singapor.

Bisedimet pasojnë gjithashtu një vizitë të drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) William Burns në Kinë muajin e kaluar, e cila u konfirmua nga disa media amerikane javën e kaluar.

Departamenti i Shtetit tha se të dy palët shkëmbyen pikëpamje mbi marrëdhëniet e tyre dypalëshe, kanalet e tyre të komunikimit dhe çështje të tjera duke shtuar se zyrtarët amerikanë e bënë të qartë se Uashingtoni do të mbrojë interesat dhe vlerat e SHBA.

Në një deklaratë të lëshuar të martën, Ministria e Jashtme kineze tha se “të dyja palët zhvilluan një komunikim të sinqertë, konstruktiv dhe të frytshëm për promovimin e përmirësimit të marrëdhënieve kino-amerikane”.

Komanda Indo-Paqësorit e ushtrisë amerikane tha të shtunën se një anije kineze iu afrua destrojerit amerikan USS Chung-Hoon, duke e bërë atë të ngadalësonte shpejtësinë për të shmangur përplasjen, duke shkelur të drejtën për kalim të sigurt në ujërat ndërkombëtare.

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin hodhi poshtë versionin amerikan të ngjarjeve, duke akuzuar shkatërruesin amerikan se ka bërë fillimisht provokime.

“Veprimet e ndërmarra nga ushtria kineze janë plotësisht të justifikuara, të ligjshme, të sigurta dhe profesionale. Është SHBA që duhet të reflektojë dhe korrigjojë keqbërjen e saj”, tha Wang.

Javën e kaluar, SHBA bëri të ditur se një avion kinez kreu manovra agresive pranë një avioni amerikan mbi Detin e Kinës Jugore, transmeton Al Jazeera.

Të hënën, zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se dy incidentet janë pjesë e një niveli në rritje të agresivitetit nga ushtria kineze, duke paralajmëruar se manovra të tilla mund të çojnë në keqkuptime dhe llogaritje të gabuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme