Ministri kinez i Mbrojtjes: Lufta me SHBA-në do të ishte një fatkeqësi e padurueshme

Botë | 3 vite më parë

Teksa tensionet mes SHBA dhe Kinës janë rritur, Ministri kinez i Mbrojtjes ka thënë se lufta mes dy vendeve do të ishte një “katastrofë e padurueshme” për botën dhe se vendi i tij kërkoi dialog për konfliktin.

Në një samit të sigurisë, gjenerali Li Shangfu tha se “disa vende” po intensifikonin një garë armësh. Por ai tha se bota ishte mjaft e madhe si për Kinën ashtu edhe për SHBA-në dhe të dy superfuqitë duhet të kërkojnë gjuhën e përbashkët.

Më herët, SHBA-të akuzuan për manovra “të pasigurta” nga një luftanije kineze pranë një luftanijeje amerikane në ngushticën e Tajvanit.

Pekini ka refuzuar një kërkesë të SHBA-së për bisedime të drejtpërdrejta ushtarake, në shenjë proteste ndaj sanksioneve të vendosura ndaj gjeneralit Li nga SHBA në vitin 2018 për blerjet e armëve nga Rusia.

Duke folur në Dialogun Shangri-La në Singapor, takimi i vetëm vjetor i sigurisë në rajonin Azi-Paqësor, gjenerali Li tha se “Kina dhe SHBA kanë sisteme të ndryshme dhe janë të ndryshme në shumë mënyra të tjera”.

“Një mentalitet i Luftës së Ftohtë tani po ringjallet, duke rritur shumë rreziqet e sigurisë. Respekti i ndërsjellë duhet të mbizotërojë mbi bullizmin dhe hegjemoninë“, u tha ai delegatëve.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë tensionuar vitet e fundit për disa çështje, duke përfshirë pretendimin e Kinës mbi Tajvanin dhe mosmarrëveshjet territoriale në Detin e Kinës Jugore./ BBC

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme