Erdogan betohet si president: Do mbroj ekzistencën e shtetit turk

Botë | 3 vite më parë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është betuar si kreu i shtetit pasi fitoi në balotazhin historik, ku do të drejtojë Turqinë edhe për 5 vjet të tjera.

Udhëheqësi 69-vjeçar do të emërojë sot në mbrëmje edhe kabinetin e tij i cili do të ngarkohet me trajtimin e krizës ekonomike që është reflektuar me rritjen e inflacionit dhe rënien e lirës turke.

 “Unë, si president, betohem për nderin dhe integritetin tim përpara kombit dhe historisë së madhe turke për të mbrojtur ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit. Ne do t’u shërbejmë 85 milionë njerëzve pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike, origjina apo sekti”, tha Erdogan në ceremoninë e mbajtur në parlamentin e Ankarasë.

Inaugurimi i së shtunës u pasua nga një ceremoni luksoze në pallatin presidencial në kryeqytet ku morën pjesë dhjetëra liderë botërorë.

Udhëheqësi më jetëgjatë i Turqisë përballet me sfida të konsiderueshme diplomatike mes tensioneve me Perëndimin.

Erdogan fitoi në balotazhin e 28 majit kundër koalicionit opozitar, dhe pavarësisht krizës ekonomike dhe kritikave pas tërmetit shkatërrues të shkurtit që vrau më shumë se 50 mijë njerëz.

Erdogan fitoi 52.2 për qind të votave ndërsa rivali i tij Kemal Kilicdaroglu 47.8 për qind, tregojnë rezultatet zyrtare.

Emre Erdogan nga Universiteti Bilgi vuri në dukje fjalimin e presidentit se “ai disa herë i trajtoi unitetin dhe solidaritetin dhe ai nënvizoi rëndësinë e harrimit të pakënaqësisë dhe zemërimit që votuesit ndjenë gjatë fushatës së tij zgjedhore. Ai foli për një kushtetutë liberale dhe gjithëpërfshirëse dhe kjo është e rëndësishme sepse ai nuk ka folur në këtë mënyrë kurrë më pare. Ai foli gjithashtu për rolin e Turqisë në rajon si paqebërës. Ai u përpoq të tregonte rolin kyç të Turqisë në politikën botërore”.

Trajtimi i problemeve ekonomike të vendit do të jetë prioriteti i Erdoganit me inflacionin që shkon në 43.7 për qind.

Analistët kanë paralajmëruar se nëse politikat aktuale vazhdojnë, ekonomia po shkon drejt trazirave më të mëdha duke pasur parasysh rezervat valutore të varfëruara, zgjerimin e skemës së depozitave të mbrojtura të mbështetura nga shteti dhe pritjet e pakontrolluara të inflacionit, transmeton Al Jazeera.

Lira turke ka pësuar rënie të vazhdueshme vitet e fundit dhe ka arritur nivele të reja më të ulëta të të gjitha kohërave në ditët pas votimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme