Përplasje me armë në kufirin me Egjiptin, një oficer policie vret 3 ushtarë izraelitë

Tre ushtarë izraelitë kanë mbetur të vdekur pas një sulmi me armë pranë kufirit me Egjiptin, kur një person i armatosur i veshur me uniformën e policisë egjiptiane ka hapur zjarr kundrejt tyre.
Ushtria izraelite bëri të ditur se një polic egjiptian qëlloi dhe vrau dy ushtarët. Sipas ushtrisë izraelite oficeri egjiptian dhe një ushtar i tretë izraelit u vranë në një konfrontim brenda territorit Izraelit disa orë më vonë.
Ushtria egjiptiane ka shpjeguar se një roje kufitare egjiptiane kaloi pengesën e sigurisë kufitare dhe shkëmbeu zjarr me forcat izraelite ndërsa po ndiqte trafikantët e drogës.
“Një anëtar i forcave të sigurisë ndoqi kontrabandistët e drogës dhe gjatë ndjekjes, agjenti i sigurisë kaloi gardhin kufirin dhe përfundoi në një përplasje me armë” thuhet në deklaratë.
Incidenti ndodhi pranë kalimit kufitar Nitzana dhe Al-Awja midis Izraelit dhe Egjiptit, 40 km në juglindje të pikës ku kufiri i Izraelit me Egjiptin dhe Rripin e Gazës bashkohen.
Dy nga ushtarët u gjetën të vdekur në një post ushtarak izraelit pasi nuk iu përgjigjën radiove të tyre. Ushtria izraelite tha se një nga ushtarët e vrarë ishte grua. Një ushtar i katërt u plagos lehtë dhe u dërgua në spital.
“Gjatë përplasjes me person të armatosur në territorin izraelit ndodhi edhe shkëmbimi i zjarrit. Trupat dhe komandantët qëlluan dhe vranë personin e armatosur”, tha ushtria izraelite, transmeton Al Jazeera.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant tha se ai kreu një vlerësim të situatës me shefin e shtabit dhe ushtria do të hetojë ngjarjen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



