Çekia i jep fund varësisë nga nafta ruse

Botë | 3 vite më parë

Çekia po shkëputet nga burimet e naftës që vijnë nga Rusia duke I hapur mundësi vendit për të siguruar naftë nga tregje të tjera.

Kompania shtetërore çeke e energjisë, Mero, njoftoi më 23 maj se ka nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë fund varësisë së shtetit nga nafta ruse, mbi një vit pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Mero do të financojë me 73 milionë dollarë zgjerimin e naftësjellësit Transalpin (TAL) që furnizon me naftë Evropën qendrore përmes portit italian në Trieste.

Kapaciteti i Republikës Çeke në TAL, me këtë marrëveshje, do të dyfishohet dhe do të arrijë deri në 8 milionë tonë naftë në vit, duke nisur nga viti 2025.

“Kjo marrëveshje është e ardhmja jonë, do të na ndajë nga Rusia pas 60 vjetëve të gjata, dhe do të na ndihmojë të arrijmë pavarësinë, lirinë dhe sovranitetin në furnizimet me energji”, tha shefi ekzekutiv i Mero-s, Jaroslav Pantucek.

Çekia, shtet anëtar i Bashkimit Evropian, me një popullsi prej 10.5 milionë banorësh, më herët gjatë këtij viti ka ndërprerë furnizimet me gaz rus. Dy rafineri në Republikën Çeke vitin e kaluar kishin pranuar 7.4 milionë tonë naftë dhe 56 për qind e naftës kishte ardhur nga Rusia përmes tubacionit Druzhba.

Kryeministri çek, Petr Fiala, tha se mospërfshirja e këtij tubacioni në sanksione, i dha kohë Pragës që të negocionte marrëveshjen me TAL-in. Ai lavdëroi marrëveshjen e re, të cilën e quajti “një hap të madh për pavarësinë tonë energjetike nga Rusia”.

I iniciuar më 1967, tubacioni TAL është në pronësi të një konsorciumi të përbërë nga tetë kompani të naftës, ku përfshihen Shell, EMI dhe ExxonMobile. TAL transporton naftë nga Italia për në jug të Gjermanisë, prej ku më pas nafta dërgohet në Republikën Çeke dhe Austri përmes tubacioneve të tjera.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme