Shefi i Pentagonit: SHBA do të dërgojë ndihmë shtesë të sigurisë në Tajvan

Botë | 3 vite më parë

Shtetet e Bashkuara shumë shpejt do të dërgojnë ndihmë shtesë të sigurisë në Tajvan, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njofton Radio Europa e Lirë.

“Shtetet e Bashkuara shumë shpejt do të ofrojnë ndihmë shtesë të sigurisë për Tajvanin përmes autoritetit të tërheqjes presidenciale, që Kongresi ka autorizuar vitin e kaluar”, tha Austin para ligjvënësve.

Autoriteti i tërheqjes presidenciale është një mekanizëm që ofron ndihmë të sigurisë dhe përmes tij janë dërguar edhe armatime për Ukrainën.

Më herët gjatë këtij muaji, Reuters ka raportuar se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, përmes këtij mekanizmi planifikon të dërgojë ndihmë ushtarake në Tajvan në vlerë prej 500 milionë dollarësh.

Tajvani është ishull vetëqeverisës, që Kina pretendon se është pjesë e saj dhe Pekini nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për të rimarrë nën kontroll ishullin.

Që nga viti 1979, raportet SHBA-Tajvan janë vendosur në bazë të Aktit të Raporteve me Tajvanin, që ofron bazë ligjore për t’i dhënë Tajvanit mjetet e nevojshme për të mbrojtur veten, por nuk thotë se SHBA-ja do t’i ndihmojë Tajvanit në rast të ndonjë sulmi.

( Marrë nga Radio Europa e Lirë )


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme