Kriza demografike në Itali, Papa Françesku paralajmëron: Kafshët shtëpiake nuk duhet të zëvendësojnë fëmijët

Botë | 3 vite më parë

Krijimi i një familjeje në Itali po bëhet një “përpjekje titanike” që vetëm të pasurit mund ta përballojnë, ka paralajmëruar Papa Françesku. Në një konferencë mbi krizën demografike të Italisë, ai tha se kafshët shtëpiake po zëvendësojnë fëmijët në shumë familje.

Në fjalimin e tij në Romë, Papa tha se rënia e nivelit të lindjeve sinjalizon mungesë shprese në të ardhmen, me brezat e rinj të rënduar nga një ndjenjë e brishtësisë dhe pasigurisë.

“Vështirësia në gjetjen e një pune të qëndrueshme, qiratë e larta dhe pagat e pamjaftueshme janë probleme reale“, tha ai.

Duke paralajmëruar se kafshët shtëpiake po zëvendësonin fëmijët në disa familje, Papa tregoi se si një grua kishte hapur çantën e saj dhe i kërkoi atij “të bekonte foshnjën e saj. Vetëm se nuk ishte një foshnjë, por një qen i vogël. Më humbi durimi dhe i thashë: ka shumë fëmijë që janë të uritur dhe ti më sill një qen?” tha ai.

Shkalla e lindjeve po ngadalësohet në shumë vende  si Japonia, Koreja e Jugut, Porto Riko dhe Portugalia, Por një popullsi në tkurrje është një shqetësim i madh për Italinë, vendi i tretë më i madh në eurozonë.

Vendi mund të humbasë pothuajse një të pestën e banorëve të tij deri në vitin 2050. Në të njëjtën kohë, popullsia po plaket shpejt, ku numri i njëqindvjeçarëve në Itali është trefishuar gjatë 20 viteve të fundit.

Italia është quajtur shpesh “Vendi i krevateve bosh”. Edhe Elon Musk shkroi në Twitter muajin e kaluar: “Italia po zhduket!”

Ekspertët paralajmërojnë se kriza e popullsisë do të çojë në varfërimin e kombit. Ministri i Ekonomisë Giancarlo Giorgetti tha se deri në vitin 2042, niveli në rënie i lindjeve në Itali do të përfundonte duke ulur produktin e saj të brendshëm bruto (PBB) me 18%./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme