Lufta me Rusinë/ Blinken: Ukraina ka kapacitetet e duhura për të rimarrë territoret e saj

Botë | 3 vite më parë

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka deklaruar se Ukraina ka të gjitha burimet dhe kapacitetet që i nevojiten për të rimarrë territoret e saj përmes kundërofensivës ndaj forcave ruse.

“Ata kanë atë që u nevojitet për të vazhduar të jenë të suksesshëm në rifitimin e territoreve që janë pushtuar me forcë nga Rusia përgjatë 14 muajve të fundit”, tha Blinken në një konferencë të përbashkët për mediat me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

“Nuk janë vetëm armët, por edhe trajnimi. Ukrainasit mund të mbajnë sistemet që ne u ofrojmë dhe është e rëndësishme, natyrisht, që ata të kenë planet e duhura, përsëri, për të qenë të suksesshëm”, është shprehur Blinken, transmeton CNN. 

Komentet e Blinken vijnë në të njëjtën ditë që SHBA bëri të ditur ndihmën shtesë prej 1.2 miliardë dollarësh për Ukrainën, që synon të forcojë mbrojtjen ajrore dhe të mbajë furnizimet me municion teksa forcat ruse po i afrohen sulmit të radhës ndaj Ukrainës.

Paketa përfshin predha artilerie 155 mm, sisteme dhe municione shtesë të mbrojtjes ajrore dhe drone, si dhe pajisje për të ndihmuar në “integrimin e lëshuesve, raketave dhe radarëve të mbrojtjes ajrore perëndimore” me sistemet ekzistuese të Ukrainës.

Paketa, e raportuar fillimisht nga Associated Press, do të jetë nën Iniciativën e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës, që do të thotë se do të kontraktohet dhe blihet nga prodhuesit në vend që të tërhiqet drejtpërdrejt nga stoqet e Departamentit të Mbrojtjes.

Në vend që të furnizojnë Ukrainën me armët që i nevojiten aktualisht, paketat synojnë të krijojnë një furnizim afatmesëm dhe afatgjatë për Ukrainën.

Me njoftimin e paketës së re, SHBA shënon 37.6 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga ardhja në pushtet e administratës së Bidenit, duke përfshirë 36.9 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.

SHBA do të vazhdojë të dërgojë ndihmë ushtarake në Ukrainë, sipas një zyrtari ushtarak amerikan, si për të mbështetur forcën ushtarake të Ukrainës kundër trupave ruse dhe për të siguruar pajisje të reja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme