Gjermania: Kina të mos ndihmojë Rusinë t’u shmanget sanksioneve, Pekini: Po na hiqni mundësinë e bashkëpunimit

Botë | 3 vite më parë

Gjermania i kërkon Pekinit që të zotohet për të mos ndihmuar Rusinë në shmangien e sanksioneve të vendosura nga Perëndimi. Nga ana tjetër, Pekini ka paralajmëruar Gjermaninë dhe Evropën për ndërprerjen e lidhjeve ekonomike mes tyre, teksa kryediplomatët e të dy vendeve janë takuar sot në Berlin.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në një konferencë për mediat tha se Kina nuk duhet të minojë sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Rusisë.

Baerbock përshëndeti telefonatën e fundit të presidentit kinez Xi Jinping me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe i kërkoi Kinës të luajë një rol më vendimtar në përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Neutraliteti do të thotë të marrësh anën e agresorit”, tha Baerbock.

Nga ana tjetër, Kina shprehu shqetësimin për raportin mes saj dhe Evropës.

“Nëse realiteti i heqjes së ndikimit të Kinës kryhet në emër të çrrënjosjes së rrezikut, ai në fakt është duke hequr mundësitë e bashkëpunimit, stabilitetit dhe të zhvillimit”, tha ministri i Jashtëm i Kinës Qin Gang në konferencën e përbashkët për shtyp, transmeton CNN. 

“Ne duhet të kundërshtojmë me vendosmëri të ashtuquajturin ushtrim shkëputjeje dhe të mbajmë një shkallë të lartë vigjilence kundër Luftës së re të Ftohtë. Gjermania, Kina dhe Evropa duhet të bashkojnë duart për të mbrojtur stabilitetin dhe qetësinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit global” , ka theksuar kryediplomati kinez.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme