Von der Leyen në Kiev: BE gjithçka për të ndaluar makinën luftarake të Putinit! Zelensky: Kemi nevojë për një fitore

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen tha nga Kievi se BE po bën gjithçka për të ndaluar makinerinë e luftës së Putin, ndërsa shtoi se Rusia ka dështuar në mënyrë dramatike.
Nga Kievi ku ndodhet në kuadër të Ditës së Europës, Von der Leyen tha se BE ka treguar solidaritetin e saj me Ukrainën dhe janë në krah të saj.
“Ukraina po lufton për idealet e Evropës që ne festojmë sot. Putini dhe regjimi i tij i kanë shkatërruar këto vlera dhe tani po përpiqen t’i shkatërrojnë ato këtu në Ukrainë. Agresori tashmë ka dështuar në mënyrë dramatike. Pushtuesit janë nxjerrë zvarrë nga burgjet dhe janë marrë për të luftuar në emër të Rusisë. Fryma e Ditës së Evropës është solidariteti dhe Zelensky mund të llogarisë në atë solidaritet nga BE-ja për aq kohë sa të duhet.
Evropa po bën “çdo gjë në fuqinë tonë për të gërryer makinën e luftës së Putinit dhe të ardhurat e tij”. Sanksionet tona po funksionojnë dhe ne reduktuam importet tona nga Rusia me gati dy të tretat, duke parandaluar kështu Rusinë të marrë “rrjedha të rëndësishme të të ardhurave”, tha ajo.
Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vendi ka nevojë për një fitore të re për të luftuar politikën e urrejtjes që ka Rusia.
“Evropa u mundësua nga mposhtja e së keqes së agresionit” dhe “së bashku sot po luftojmë përsëri të keqen e agresionit dhe politikën e urrejtjes që Rusia ka rikthyer në kontinentin tonë, kështu që tani na duhet një fitore e re dhe ne kthehemi në kuptimin e fjalëve të deklaratës së Schuman-it. Përpjekjet tona për një Evropë të bashkuar, për siguri dhe paqe duhet të jenë po aq të forta sa aspiratat ruse për të shkatërruar lirinë në Evropë”, tha Zelensky.
Von der Leyen shtoi se Ukraina po punon shumë për anëtarësimin në BE pavarësisht luftës.
“Evropa ka të bëjë me të bërë të pamundurën, të mundshmen, dhe po ashtu edhe Ukraina. Është mbresëlënëse të shohësh, pavarësisht një lufte të plotë, Ukraina po punon shumë, pa u lodhur dhe intensivisht në shtatë hapat. Është bërë shumë përparim, por puna duhet të vazhdojë,” tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



