Marrëveshja skadon me 18 Maj, Rusia dhe Ukraina dështojnë të merren vesh për eksportin e drithërave

Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara kanë dështuar që të autorizojnë kalimin e anijeve të reja, përmes marrëveshjes për eksporte nga Deti i Zi që mundëson transportin e sigurt të drithërave ukrainase.
Moska sërish ka kërcënuar se do të largohet nga marrëveshja më 18 maj nëse pengesat që ekzistojnë për transportin e drithërave të saj nuk hiqen.
Megjithatë, zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, u tha gazetarëve se inspektimet ditore të anijeve, që ishin autorizuar më herët të transportonin mallra, po vazhdojnë.
Zyrtarët nga të gjitha palët e përfshira në këtë marrëveshje janë pjesë e Qendrës së Përbashkët të Koordinimit që gjendet në Stamboll, e që zbaton marrëveshjen për drithërat që u arrit korrikun e vitit të kaluar.
Sipas një letre të verrifikuar nga Reuters, muajin e kaluar Rusia u tha përfaqësuesve të kësaj qendre koordinuese se nuk do të autorizojë kalimin e asnjë anijeje të re, nëse operatorët nuk garantojnë që transiti do të bëhet deri më 18 maj, “në datën kur pritet të mbyllet” rruga e sigurt për drithërat ukrainase.
OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan marrëveshjen për drithërat për të lehtësuar krizën botërore ushqimore, që u përkeqësua nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Rusia deri më tani është pajtuar që marrëveshja të zgjatet tri herë dhe OKB-ja është pajtuar që ta ndihmojë Moskën që të hiqen pengesat që ekzistojnë për eksportet e drithërave dhe plehrave artificiale ruse.
Edhe pse eksportet ruse nuk janë pjesë e sanksioneve perëndimore, që u vendosën pas pushtimit të Ukrainës, Moska ka thënë se sanksionet ndaj pagesave dhe logjistikës paraqesin pengesa edhe në eksportet e saj bujqësore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




