Përmbytje në Emilia-Romanja, 2 të vdekur dhe qindra të zhvendosur

Krahina e Emilia Romanjas në veri të Italisë është përfshirë nga reshje të dendura të shiut të cilat kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dherash, si dhe iu kanë marrë jetën të paktën dy personave.
Reshje të dendura të shiut kanë goditur krahinën veriore të Emilia Romanjas në Itali, duke shkaktuar përmbytje si dhe të paktën dy viktima.
Një 80 vjeçar u mor përpara nga ujërat dhe u mbyt në komunën e Castel Bolonjeze-s dhe një i moshuar tjetër humbi jetën pasi banesa e tij në Fontanelice u godit nga rrëshqitjet e dheut.
Qindra banorë u evakuuan nga shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjeve. Brigada kombëtare e zjarrfikësve bëri të ditur se kishte ndërmarrë rreth 400 operacione shpëtimi, duke evakuuar dhjetëra persona.
Shkollat vijojnë të jenë të mbyllura edhe këtë të enjte në shumë bashki të Emilia Romanjas për shkak të paraljamërimeve për reshje të tjera të shiut.
Operatori I hekurudhave Trenitalia u shpreh se kishte pezulluar disa shërbime ndërsa një numër rrugësh janë mbyllur.
Kryeministrja Xhorxha Meloni tha në një deklaratë se ishte në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e përfshira në adresimin e situatës dhe shprehu solidaritet me të prekurit nga përmbytjet.
Reshjet e dendura të shiut erdhën pas disa muajsh thatësire që ndikuan në uljen e tejskajshme të nivelit të ujit të lumit Po, që është më i madhi I Italisë dhe që kalon në pjesën veriore të Emilia Romanjas.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



