Koronavirusi/ SHBA heq më 11 maj detyrimin për të provuar se jeni i vaksinuar

Të gjithë ata që udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të duhet më të provojnë nëse e kanë bërë vaksinën kundër koronavirusit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, detyrimi për të paraqitur dokumentin e vaksinimit do të hiqet në 11 maj, datë e cila përkon me përfundimin e urgjencës së shëndetit publik të koronavirusit në vend.
Rregullat e vaksinës do të hiqen gjithashtu për punonjësit. Ky është një ndër kufizimet e mbetura në fuqi për të gjithë atë që udhëtojnë.
Kufizimi do të hiqet edhe për udhëtarët jo amerikanë që hyjnë nëpërmjet porteve tokësore dhe trageteve.
Shtëpia e Bardhë ka theksuar se “ne jemi tani në një fazë tjetër të reagimit tonë kur këto masa nuk janë më të nevojshme”.
Ky ndryshim do të lejojë tenistin serb Novak Xhokoviç, të luajë në US Open këtë vit. Kjo për shkak se fituesi i 22 Grand Slam-it nuk është i vaksinuar dhe ai u detyrua të humbasë turneun e vitit të kaluar.
Tenisti u përball me probleme të ngjashme në vitin 2022 me Australian Open dhe u deportua. Përfaqësuesi Brian Higgins, i cili përfaqëson Buffalo dhe Niagara Falls në shtetin e Nju Jorkut, tha se ky është një lajm i mirë për kanadezët.
“Ndërsa ka kohë që ka vonuar, kjo heqje e fundit e kufizimeve pandemike është sigurisht një lajm i mirëpritur dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi ne kërkojmë mundësi për të inkurajuar një shkëmbim të fuqishëm ndërkufitar që ofron prosperitet të përbashkët” tha zoti Higgins në një deklaratë, transmeton CNN.
Muajin e kaluar, Presidenti Joe Biden nënshkroi një projektligj që i jep fund emergjencës kombëtare Covid-19 – i cili lejoi SHBA-në të zbatojë masa gjithëpërfshirëse në sistemet shëndetësore të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




