Luftimet në Sudan hyjnë në javën e dytë, mbi 400 të vrarë e mijëra të plagosur

Luftimet në Sudan hynë në javën e dytë këtë të shtunë, ndërsa raportohet se qindra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga beteja mes dy gjeneralëve rivalë
Luftimet në kryeqytetin e Sudanit kanë hyrë në javën e dytë, teksa është shkelur edhe një armëpushim i përkohshëm.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 413 persona janë vrarë dhe 3.551 janë plagosur në luftimet në mbarë Sudanin, por numri real i viktimave besohet se është më i lartë, pasi shumë të plagosur nuk kanë qasje në spitale.
Dhuna shpërtheu më 15 prill kur nisën luftimet mes forcave besnike të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan, dhe zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo, i cili komandon grupin paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.
Dy ish-aleatët kishin marrë pushtetin përmes një grusht shteti më 2021, por më pas patën mosmarrëveshje për shkak të ndarjes së pushtetit.
Daglo tani ka thënë se grusht shteti ishte “gabim” dhe dështoi që të sillte ndryshime, ndërkaq Burhan ka shprehur bindjen se ai ishte “i domosdoshëm” për të përfshirë më shumë grupe në politikë.
Në Kartum, qytet prej 5 milionë banorësh, luftimet kanë bërë që civilët të strehohen brenda shtëpive të tyre.
Luftimet po ashtu kanë bërë që civilët të mbesin pa energji elektrike dhe furnizimet me ushqime janë pakësuar.
Teksa luftimet po vazhdojnë, planet janë bërë për evakuimin e shtetasve të huaj, me Shtetet e Bashkuara, Korenë e Jugut dhe Japoninë që kanë dislokuar forca në shtetet fqinje, teksa Bashkimi Evropian pritet të bëjë të njëjtën gjë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



