Do merrnin ndihmat për Ramazanin, shtypet turma e qytetarëve në Jemen, vdesin 85 persona

Tetëdhjetë e pesë persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e përplasjes së turmës gjatë shpërndarjes së ndihmës financiare në Jemen.
Përplasja e turmës ndodhi më 19 prill në Sana’s, ku qindra njerëz ishin mbledhur në një shkollë për të marrë donacione të cilat ishin 9 dollarë për person.
Ministria e Brendshme ka reaguar mbi tragjedinë duke thënë se personat përgjegjës për shpërndarjen e donacioneve janë arrestuar, ndërsa shtoi po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Zëdhënësi i ministrisë ka fajësuar për fatkeqësinë “shpërndarjen e rastësishme” të fondeve, pa koordinim me autoritetet lokale.
Tragjedia e fundit që goditi vendin më të varfër të Gadishullit Arabik erdhi disa ditë përpara festës myslimane të Fitër Bajramit që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
BBC raporton se duke iu referuar deklaratës së dy dëshmitarëve, luftëtarët Houthi kanë qëlluar në ajër në një përpjekje për të kontrolluar turmën, por kanë goditur një tel elektrik që rezultoi në një shpërthim. Kjo shkaktoi panik që çoi në shtypjen e qytetarëve.
Lufta civile shpërtheu në Jemen në vitin 2014, kur rebelët Houthi të mbështetur nga Irani pushtuan Sana’a, duke bërë që një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte vitin e ardhshëm për të mbështetur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht.
Luftimet janë lehtësuar në mënyrë dramatike që nga një armëpushim gjashtë-mujor i ndërmjetësuar nga OKB-ja vitin e kaluar, edhe pasi ai skadoi në tetor. Por lufta nxori atë që Kombet e Bashkuara e përshkruan si një nga tragjeditë më të këqija humanitare në botë.
Më shumë se dy të tretat e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, sipas OKB-së, duke përfshirë punonjësit e qeverisë në zonat e kontrolluara nga Houthi, të cilët nuk janë paguar pagat e nëpunësve civil prej vitesh.
Mbi 21.7 milionë njerëz – dy të tretat e vendit – kanë nevojë për ndihmë humanitare këtë vit, sipas OKB-së.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




