Ministri kinez i Mbrojtjes, i sanksionuar nga SHBA, takohet me Putin në Moskë: Forcojmë lidhjet ushtarake

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ministri i Mbrojtjes i Kinës Li Shangfu u takuan në Moskë, ku të dy përshëndetën bashkëpunimin e ngushtë ushtarak të vendeve të tyre.
Takimi nisi vizitën katër-ditore të Li në Rusi, udhëtimi i tij i parë jashtë shtetit që kur mori detyrën muajin e kaluar. Vendet perëndimore kanë rritur presionin ndaj Pekinit për ta shtyrë Putin t’i japë fund luftës së tij kundër Ukrainës.
Ministri kinez i Mbrojtjes u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 për transaksionet me eksportuesin e armëve të kontrolluar nga shteti rus. Këto transaksione përfshinin dorëzimin e avionëve luftarakë Su-35 në 2017 dhe pajisjeve të lidhura me sistemin e raketave tokë-ajër S-400 në 2018 nga Rusia në Kinë, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA.
Udhëtimi i Li vjen pas vizitës shtetërore të liderit kinez Xi Jinping në Rusi muajin e kaluar, në të cilën Xi dhe Putin forcuan më tej lidhjet e vendeve të tyre dhe u zotuan të “thellojnë besimin e ndërsjellë ushtarak” dhe të forcojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin ushtarak, raporton CNN.
Putin tha se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës po zhvillohen mirë në të gjitha fushat, përfshirë departamentet ushtarake.
Bashkëpunimi ushtarak mes vendeve ishte “një nga fushat më të rëndësishme që forcon natyrën jashtëzakonisht të besueshme dhe strategjike të marrëdhënieve”, tha Putin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




