Sekretari amerikan Blinken, kërkon t’i jepet fund dhunës në Sudan

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka bërë thirrje që përleshjet në Sudan të përfundojnë “menjëherë”. Ai tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” lidhur me raportimet për luftime.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që të ndalojnë dhunën menjëherë dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm, ose mobilizimin e trupave, si dhe të vazhdojnë bisedimet për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura,”- tha ai nga Hanoi në Vietnam, rrugës për në një takim të ministrave të jashtëm të G7 në Japoni.
Luftimet kanë shpërthyer në kryeqytetin sudanez, Khartoum, midis dy fraksioneve të ushtrisë. Ka pasur të shtëna me armë dhe shpërthime të forta në Khartoum, si dhe në disa qytete të tjera që përfshijnë njësi të ushtrisë dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një grup i fuqishëm paraushtarak.
Të paktën tre civilë janë vrarë në përleshjet e sotme, thotë një sindikatë e mjekëve. RSF pretendon të ketë kontrollin e disa pikave kryesore, duke përfshirë Pallatin Republikan, selinë e presidencës së vendit, si dhe Aeroportim Ndërkombëtar të Khartoum.
Linjat ajrore kanë ndaluar fluturimet për në Sudan pasi ka pasur raportime se dy persona kanë humbur jetën kur një predhë goditi një aeroplan pasagjerësh.
Komandanti i RSF-së, Mohamed Hamdan Dagalo thotë se trupat e tij do të vazhdojnë të luftojnë derisa të gjitha bazat e ushtrisë të jenë nën kontroll.
Ushtria thotë se sulmet ajrore kanë shkatërruar të paktën dy baza të RSF. Një korrespondent i BBC-së në Khartoum është rrahur nga një ushtar sudanez ndërsa ishte duke shkuar për në vendin e tij të punës.
Ditët e fundit janë shtuar tensionet mes qeverisë dhe grupit paraushtarak. Kjo vjen pasi grupet sudaneze dhe junta ushtarake në pushtet nuk arritën një marrëveshje javën e kaluar mbi kalimin në një qeveri të udhëhequr nga civilët, si dhe për një nga çështjet kryesore që pengon marrëveshjen që është integrimi i RSF-së në ushtri. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




