Lufta/ Shërbimi rus i sigurisë arreston një gazetar të “Wall Street Journal”

Botë | 4 vite më parë

Një gazetar i gazetës amerikane “Wall Street Journal” është arrestuar në Rusi me pretendimin se ka mbledhur informacione sekrete për SHBA-në. Kjo është edhe lëvizja më e rëndë e ndërmarrë ndaj një gazetari të huaj, qëkur Rusia pushtoi Ukrainën.

Në një deklaratë, FSB tha se kishte hapur një çështje kriminale për spiunazh të dyshuar ndaj shtetasit amerikan Evan Gershkovich, duke e akuzuar atë për mbledhje të informacionit të klasifikuar si sekret shtetëror në lidhje me një fabrikë ushtarake.

Emri i fabrikës nuk është bërë i ditur por thuhet se Gershkovic është ndaluar në qytetin e Jekaterinburgut në Urale ku pretendohet se ishte duke u përpjekur të siguronte informacione sekrete.

Për pretendimet ruse nuk është dhënë ndërkohë ndonjë provë. Mediat ruse raportojnë se Gershkovic do të dërgohej në Moskë ku do të mbahej në qendrën e paraburgimit të shërbimit të sigurisë.

Ai ka mbuluar Rusinë për “Wall Street Journal” që nga viti 2017. Më parë pati punuar për gazetën the “Moscow Times” si dhe agjencinë franceze të lajmeve. Muajt e fundit pati mbuluar politikën ruse dhe konfliktin në Ukrainë. Nëse dënohet për spiunazh, mund të përballet me deri në 20 vite burg.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme