Sulmi në tubacionet e Nord Stream, “New York Times”: U krye nga një grup pro-ukrainas

Botë | 4 vite më parë

Një grup pro-ukrainas, me gjasë i përbërë nga shtetas ukrainas ose rusë, kreu sulmin në tubacionet e Nord Stream vitin e kaluar. Lajmi është publikuar nga “New York Times”, teksa citon përfundimet e inteligjencës amerikane, teksa shkruan se megjithatë nuk ka prova se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ose zyrtarë të tjerë të qeverisë ukrainase ishin pas shpërthimeve dhe rrjedhjeve të gazit natyror në Detin Baltik.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, njoftoi se Uashingtoni po pret për përfundimin e hetimeve në vazhdim në Gjermani, Suedi dhe Danimarkë.

“Ne besojmë, dhe presidenti e ka thënë këtë, se është një akt sabotimi. Por ne duhet t’i lëmë këto hetime të përfundojnë dhe vetëm atëherë duhet të shikojmë se çfarë veprimesh pasuese mund ose nuk mund të jenë të përshtatshme”, tha ai. Gjermania tha të martën se kishte marrë parasysh raportin e New York Times, por se hetimi i saj nuk kishte dhënë ende rezultate.

Një ndihmës i lartë i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak, tha të martën se Kievi “absolutisht nuk ishte i përfshirë” në shpërthimet dhe nuk kishte asnjë informacion për atë që ndodhi.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO i kanë quajtur sulmet e 26 shtatorit 2022 në tubacionet “një akt sabotimi”, ndërsa Moska ka fajësuar Perëndimin. Asnjëra palë nuk ka dhënë prova.

Të ndërtuara nga Gazprom i kontrolluar nga shteti rus, tubacionet Nord Stream u ndërtuan për të transportuar gaz natyror nga Rusia në Gjermani nën Detin Baltik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme