Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, vizitë në Bagdad, një hap më pranë përfundimit zyrtar të luftërave në Irak

Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin zhvilloi një vizitë në Irak ku u takua me kryeministrin irakian, Mohammed Shia al-Sudani. Ai tha se SHBA-të vazhdojnë të mbështesin qeverinë e Bagdadit për t’i dhënë fund organizatës terroriste të ISIS në Irak.
“Ne jemi të fokusuar në përfundimin e ISIS-it. Vetëm përpjekjet ushtarake nuk mund të garantojnë fundin e ISIS. Çdo sulm ndaj pranisë së SHBA-së në Irak mund të prishë luftën kundër ISIS “, theksoi Austin.
Vizita e tij në Bagdad vjen teksa ligjvënësit amerikanë do të ndërmarrin një hap të rëndësishëm këtë javë drejt shfuqizimit të një autorizimi të pushtetit presidencial për luftë, që ka ekzistuar për disa dekada, pasi një përpjekje për të rivendosur autoritetin në Kongres, duket se ka fituar mbështetje në rritje.
Deri më sot, çdo përpjekje ka dështuar mes kritikave se shfuqizimi i këtyre autorizimeve rrezikon sigurinë kombëtare të SHBA dhe forcat amerikane jashtë vendit.
Përveç shfuqizimit që autorizonte luftën e vitit 2003 në Irak, legjislacioni në shqyrtim këtë javë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit do të shfuqizonte gjithashtu autorizimin e vitit 1991 që lejoi Presidentin George Herbert Walker Bush të dërgonte forca në Irak, atë të vitit 2014 të presidenti demokrat, Barack Obama për të justifikuar sulmet ajrore pa miratimin e Kongresit kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.
Hera e fundit që Kongresi përdori zyrtarisht pushtetin e tij për të shpallur luftë ishte në vitin 1942 kundër Rumanisë, Bullgarisë dhe Hungarisë. Që nga ajo kohë, Kongresi u ka dhënë presidentëve amerikanë autoritet më të gjerë për të kryer operacione ushtarake.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




