Dështimet në bllokimin e COVID- 19, Italia mbyll hetimet, ish- kryeministri Conte nën akuzë

Prokurorët italianë mbyllën hetimet për COVID-19, nëpërmjet të cilit akuzohen zyrtarë, duke përfshirë edhe një ish-kryeministër, si dhe një guvernator rajonal, për “shpërdorim detyre”, lidhur me dështimin për të shtrirë zonën e bllokimit, në ditët e para të pandemisë, në qytetin verior të Bergamos dhe zonat industriale rreth tij.
“Qëllimi ynë ishte të rindërtonim atë që ndodhi, si dhe t’i jepnim një përgjigje popullatës së Bergamos dhe rrethinave,”- tha prokurori Antonio Chiappani, për Radio 24.
Pas hetimeve çështja shkon tek një gjykatës në Bergamo, për të vendosur nëse do të ngrejë akuza për shumë të dyshuar të identifikuar nga prokurorët, duke përfshirë edhe kryeministrin e atëhershëm Giuseppe Conte, ish-ministrin e shëndetësisë, Roberto Speranza dhe guvernatorin rajonal të Lombardisë, Atillo Fontana.
Conte, në një deklaratë për mediat, pas mbylljes zyrtarisht të hetimit, deklaroi se ishte “i qetë përballë vendit dhe qytetarëve italianë, pasi kishte vepruar me përkushtimin maksimal, në një nga momentet më të vështira të përjetuara në Itali”.
Speranza tha gjithashtu se ai ishte “i qetë dhe i sigurt se kishte vepruar gjithmonë me disiplinë dhe ndershmëri në interes të vendit”.
Avokati i Fontanës tha se ai nuk pret që klienti i tij të jetë në mesin e të paditurve, duke shtuar se “Fontana gjithmonë është marrë në pyetje si palë e interesuar, jo si i dyshuar”.
Hetimi i prokurorëve pretendon se janë bërë gabime në mos zgjerimin e “zonës së kuqe”, të vendosur fillimisht në një numër të kufizuar qytetesh në rajonet fqinj të Lombardisë dhe Venetos, në Bergamo, pasi numri i viktimave u rrit dramatikisht.
Hetimi pretendon se më shumë se 4,000 viktima mund të ishin parandaluar, nëse bllokimi do të zgjerohej më 27 shkurt 2020, pasi provinca e Bergamos u bë pika e nxehtë e Italisë për COVID-19.
Morgu i qytetit ishte aq i mbingarkuar, sa ushtria duhej të dërgonte kamionë për të sjellë arkivole për morgjet. Italia u bë vendi i parë jashtë Azisë, që konfirmoi rastet e COVID-19 më 21 shkurt 2020, si dhe vdekjen e parë në një rajon tjetër disa orë më vonë.
“Zonat e para të kuqe” u vendosën tre ditë më vonë në rreth 10 qytete në Lombardi dhe një në Veneto, duke u shtrirë më pas në të gjithë Lombardinë dhe 14 provinca të tjera në veri të vendit.
Conte e vendosi të gjithë vendin në bllokim dy ditë më vonë. Italia ka regjistruar më shumë se 188,000 viktima nga COVID-19. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




