Blinken: Kina mund t’i japë armë Rusisë për të vijuar luftën në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Kina po konsideron t’i japë Rusisë armë dhe municion për luftën në Ukrainë. Blinken shtoi se kompanitë kineze tashmë po ofronin “mbështetje jo vdekjeprurëse” për Rusinë dhe informacionet e reja sugjeronin se Pekini mund të ofronte “mbështetje vdekjeprurëse”.
Ky përshkallëzim do të nënkuptonte “pasoja të rënda” për Kinën, paralajmëroi ai.
Kina ka mohuar raportet se Moska ka kërkuar pajisje ushtarake. Presidenti kinez Xi Jinping është një aleat i presidentit rus Vladimir Putin dhe ende nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë, por ai ka kërkuar të mbetet neutral në konflikt dhe ka bërë thirrje për paqe.
Ministria e Jashtme e Kinës tha se nuk do të pranonte “tregimin me gisht” dhe “shtrëngimin” nga SHBA për marrëdhëniet e saj me Rusinë.
Këto deklarata, Blinken i bëri pasi u takua me kryediplomatin kinez, Wang Yi. Ai tha se gjatë takimit ai shprehu “shqetësime të thella” për “mundësinë që Kina të sigurojë mbështetje materiale vdekjeprurëse për Rusinë”.
“Deri më sot, ne kemi parë kompani kineze… të ofrojnë mbështetje jo vdekjeprurëse për Rusinë për përdorim në Ukrainë. Shqetësimi që kemi tani bazohet në informacionin që kemi se ata po shqyrtojnë ofrimin e mbështetjes vdekjeprurëse,” tha ai.
Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar një kompani kineze që dyshohet se i ka ofruar imazhe satelitore të Ukrainës grupit mercenar Ëagner, i cili furnizon Rusinë me mijëra luftëtarë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




