Pas sulmeve anarkiste ndaj misioneve diplomatike, Italia rrit masat e sigurisë në ambasadat e saj anembanë globit

Botë | 4 vite më parë

Qeveria italiane ka rritur shkallën e sigurisë për misionet e saj diplomatike anembanë globit, në përgjigje të sulmeve në rritje terroriste nga një rrjet anarkistësh informal, që vepron në mbështetje të një militanti italian të burgosur në masa të rrepta sigurie. Lajmi u bë i ditur sot nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Ai përmendi dhjetra sulme që janë ndërmarrë që nga fundi i nëntorit 2022, të cilat kanë qenë që nga vandalizmi, deri tek mjetet shpërthyese, duke shkaktuar dëme në godinat diplomatike italiane në Argjentinë, Bolivi, Gjermani, Greqi, Portugali, Spanjë dhe Zvicër. Lidhur me këto sulme nuk janë raportuar të lënduar.

“Është e qartë se ka një solidaritet ndërkombëtar ndërmjet anarkistëve dhe për këtë arsye ky është edhe një sulm kundër Italisë, kundër institucioneve italiane, i cili po kryhet në të gjithë botën”,- tha Tajani, duke shtuar se siguria po rritej në të gjitha ambasadat dhe konsullatat italiane, si dhe tek ministria e Jashtme.

Tajani tha se ata besojnë se rrjeti përfshin italianë dhe anarkistë nga vende të tjera që veprojnë së bashku. Ai iu referua edhe grafiteve të skalitura në gjuhën katalanase në ndërtesën ku ndodhet Konsullata Italiane në Barcelonë.

Më e rënda nga sulmet ishte shpërthimi i zjarrit tek dy makina në rezidencën e një diplomati italian në Athinë në fillim të dhjetorit, ku një makinë u dogj. Tajani tha se vetëm dështimi i bombës së dytë që synonte një makinë brenda garazhit të rezidencës dhe pranë një linje gazi, shmangu pasoja më të rënda.

Sulmet, si dhe një sërë protestash, duke përfshirë edhe një të planifikuar në Madrid, bëhen në solidaritet me Alfredo Cospito, i cili ka qenë në grevë urie që nga tetori për të protestuar ndaj një regjimi të rreptë burgu të rezervuar për terroristët dhe mafiozët. 

Militanti 55-vjeçar po vuan dënimin me 10 vjet burg, pasi qëlloi në këmbë një drejtues të një kompanie energjetike të kontrolluar nga shteti, si dhe me 20 vjet për një seri sulmesh me dinamit në Itali.

Një gjykatë apeli në Torino, pranverën e kaluar, ashpërsoi kushtet e tij të burgut duke përfshirë izolimin, me përjashtim të një ore në ditë, si dhe një kufi të rreptë të vizitave familjare. Regjimi vendoset ndaj të burgosurve që konsiderohen të rrezikshëm edhe nga brenda burgut.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, tha se fakti i këtyre sulmeve vetëm sa përforcon domosdoshmërinë e regjimit në rastin e Cospito. Avokatët e Cospito aktualisht po apelojnë kushtet e rrepta.

Cospito është transferuar nga Sardenja në një burg në jug të Milanos, për të cilin Ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, tha se ishte i pajisur më së miri për t’u marrë me sfidat shëndetësore të grevës së urisë.

Në Itali, anarkistët dogjën të hënën makinat që i përkisnin kompanisë së telekomunikacionit TIM, duke shkruar slogane që denoncojnë trajtimin e Cospito.

Këtë fundjavë, një grup i vogël mbështetësish të tij u përleshën me policinë në Romë dhe dy bomba molotov u hodhën në parkingun e një komisariati në kryeqytet. Nga sulmi nuk pati lëndime. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme