Lufta në Ukrainë, Polonia rrit në shifra të mëdha shpenzimet për mbrojtjen

Botë | 4 vite më parë

Polonia bëri të ditur se ka rritur shumë shpenzimet e mbrojtjes, duke deklaruar se kjo rritje është e nevojshme për shkak të luftës në Ukrainë. Polonia është vendi i fundit evropian që deklaron se po rrit shpenzimet ushtarake si rezultat i konfliktit.

Polonia ka një buxhet ushtarak prej më pak se 2.5% të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) së saj, por kryeministri nënvizoi se dëshiron ta rrisë shifrën në 4% këtë vit.

Javën e kaluar, Mateusz Morawiecki i kërkoi Gjermanisë që të lejojë vendin e tij të eksportojë tanke luftarake Leopard 2 në Ukrainë.

“Lufta në Ukrainë na bën të armatosemi edhe më shpejt. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne do të bëjmë një përpjekje të paprecedentë: 4% të PBB-së për ushtrinë polake,”- tha zoti Morawiecki.

Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në 4% “mund të nënkuptojë se kjo do të jetë përqindja më e lartë midis të gjitha vendeve të NATO-s,”- shtoi ai.

Polonia, e cila kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit, ka thënë më parë se po blinte 116 tanke Abrams nga SHBA, dhe dërgesat e para do të fillonin këtë pranverë.

Pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që shumë vende perëndimore të rishikojnë shpenzimet e tyre ushtarake dhe në shumë raste t’i rrisin ato ndjeshëm.

Anëtarët e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s kanë rënë dakord të shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së, një masë e prodhimit ekonomik të një vendi, për mbrojtjen që nga viti 2024.

Shifra prej 2% ka qenë një objektiv i kahershëm për aleancën.Kohët e fundit, Franca përshkroi planet për një nxitje të madhe për forcat e saj të armatosur pjesërisht për shkak të luftës në Ukrainë, duke thënë se buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar do të rritet në 413 miliardë euro nga 2024-30, nga 295 miliardë euro.

Suedia dhe Finlanda kanë njoftuar rritje të mëdha në buxhetet e tyre ushtarake, si pjesë e përpjekjes së tyre për t’u bashkuar me NATO-n. Ditët pas pushtimit në shkurt 2022, Gjermania premtoi 100 miliardë euro shtesë të buxhetit për forcat e armatosura.

Në qershor, Mbretëria e Bashkuar premtoi gjatë kohës së ish-kryeministrit Boris Johnson se do të rrisë shpenzimet në 2.5% të PBB-së. BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme