Zelensky: T’u jepet fund pengesave për eksportet ushqimore ukrainase

Botë | 4 vite më parë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë apel që të hiqen një herë e mirë pengesat e vazhdueshme ndaj eksporteve të ushqimit nga vendi i tij përmes detit.

“Më shumë se 100 anije që transportojnë ushqime janë rreshtuar pranë Bosforit”, tha sot Zelensky, në një video-mesazh për një konferencë ndërkombëtare të ministrave të Bujqësisë në Berlin.

“Pse? Sepse ato duhet të inspektohen dhe përfaqësuesit rusë po e bllokojnë këtë inspektim. Anijet ndalohen për javë të tëra. Për Azinë kjo do të thotë gjithashtu një rrezik në rritje i paqëndrueshmërisë sociale, dhe për vendet në Afrikë si Etiopia apo Sudani, tavolinat e ngrënies bosh për mijëra familje. Megjithëse Rusia vazhdoi të sulmojë me raketa infrastrukturën e Ukrainës, duke përfshirë portet dhe transportin, dhe të zhvillonte beteja brutale në rajonet thelbësore për bujqësinë, fermerët ukrainas vazhdojnë të mbjellin”, u shpreh Zelensky.

Ndërkaq, Rusia ka mohuar bllokimin e anijeve ukrainase me grurë dhe fajësoi Kievin për krijimin e një “bllokimi artificial të trafikut”.

“Aktualisht, 64 anije janë të ankoruara në portet dhe zonat e inspektimit të Ukrainës. Rendi i inspektimit të tyre përcaktohet nga pala ukrainase, përfaqësuesit rusë nuk kanë fare ndikim në këtë”, tha Ministria e Jashtme në Moskë në një deklaratë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme