Lufta me Rusinë/ Aktivistët protestojnë në Berlin, thirrje qeverisë gjermane: Dërgoni tanket Leopard në Ukrainë

Në Berlin kanë shpërthyer protestat duke kërkuar që Gjermania t’i dërgojë Ukrainës tanket Leopard 2.
Qytetarët dhe aktivistë kanë dalë në rrugët e Berlinit duke kërkuar që Ukrainës t’i dërgohen tanke moderne kryesore luftarake.
Njerëzit në Berlin mbanin tabela ku shkruhej “lironi Leopardët” në mbështetje që pajisjet të ndahen me ushtrinë ukrainase.
Nga ana e saj, Britania e Madhe ka premtuar tashmë se do të dërgojë disa prej tankeve të saj Challenger 2.
Ndërkaq, më herët ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius bëri të ditur se Berlini nuk po bllokon në mënyrë të njëanshme dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë. Sipas tij, qeveria gjermane është e gatshme të lëvizte shpejt në këtë drejtim nëse do të kishte konsensus midis aleatëve.
Pistorius tha se ka arsye pro dhe kundër për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë.
“Ka arsye të mira për dërgimin e tyre dhe ka arsye të mira kundër dërgimit të tyre, dhe duke pasur parasysh të gjithë situatën e një lufte që po vazhdon për gati një vit, të gjitha argumentet pro dhe kundër duhet të peshohen me shumë kujdes”, u shpreh ai teksa ishte duke folur me gazetarët, në një takim të liderëve të NATO-s dhe të mbrojtjes, në bazën ajrore Ramstein në Gjermani.
Presioni mbi Berlinin është rritur për të siguruar tanke për Kievin, të cilat Ukraina i sheh si kyçe në luftën kundër Rusisë. Ndërkaq, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më herët u kërkoi aleatëve që të mbështesin më shumë Ukrainën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



