Matteo Messina Denaro, si u kap bosi i mafies gjatë një vizite në një klinikë, krimet e tij që tronditën Italinë

Mafiozi më i kërkuar në Itali po shkonte për një kafene jashtë një klinike private siciliane, kur një polic iu afrua dhe e pyeti emrin e tij. Ai nuk gënjeu. Ai thjeshtë ngriti sytë dhe tha:
“Ti e di kush jam. Unë jam Matteo Messina Denaro.”
Deri në atë moment, forcat e armatosura kishin sigurinë se ai ishte me të vërtetë “bosi i të gjithë bosëve” mafiozë, të cilin ata e kërkonin për tre dekada. Ai u regjistrua për një takim në një klinikë me emrin, Andrea Bonafede.
Por pas vitesh kërkimesh të mundimshme dhe vetëm një imazhi të kompjuterizuar, policia ushtarake dhe karabinierët italianë, kishin shumë besim se ai ishte njeriu që kërkonin.
Gjatë kohës së tij në krye të sindikatës së krimit të organizuar Cosa Nostra, Messina Denaro mbikëqyri shantazhin, hedhjen e paligjshme të mbeturinave, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës. Ai u dënua në mungesë në vitin 2002 për një sërë vrasjesh.
Ai thuhet se ishte i mbrojturi i Totò Riinës, kreut të klanit Corleone, i cili u arrestua në vitin 1993 pas 23 vitesh në arrati. Ky ishte edhe viti kur Messina Denaro u zhduk. Për 30 vjet, hetuesit mund të mbështeteshin vetëm në një përbërje imazhesh të fytyrës dhe në copa të shkurtra të regjistrimit të zërit për ta identifikuar.
Shumë raportime vendosën atë kudo nga Venezuela në Holandë. Por ishte në Palermo, zemra e atdheut të tij të Siçilisë, ku ai u kap.
“U desh shumë kohë për ta arrestuar atë, sepse, siç ndodhi edhe me bosët e tjerë të mafias, ai mbrohej nga një rrjet shumë i dendur bashkëpunëtorësh jashtëzakonisht të fuqishëm në Siçili dhe më gjerë”, tha gazetari italian, Andrea Purgatori për BBC.
Shumë kishin supozuar se arrestimi i së hënës ishte rezultat i një informacioni nga bashkëpunëtorët e Messina Denaro, të cilët vendosën se shefi i sëmurë nuk ishte më i dobishëm për ta.
Në fund të fundit, për një kohë të gjatë mafiozi më i kërkuar i Italisë ishte ndjerë mjaftueshëm i mbrojtur “për të ecur lirshëm në rrugët e Palermos, kryeqyteti moral i Cosa Nostra”, tha z. Purgatori.
Pas 30 vitesh kërkime, çfarë e kishte çuar më në fund policinë drejt tij?
Në një konferencë për shtyp, policia hodhi poshtë teorinë e një informate. Në vend të saj, ata thanë se kishin kombinuar metodat e hetimit të shkollës së vjetër me teknologjinë moderne për të kufizuar vendodhjen e të dyshuarit të tyre.
“Me kalimin e viteve, një lloj perde tymi u formua rreth Messina Denaro, i përbërë nga një rrjet njerëzish besnikë të tij,”- tha Mitja Gialuz, avokat dhe profesor i procedurës penale në Universitetin LUISS në Romë.
Për më shumë se një dekadë, policia goditi këdo që dyshohej se mbronte ose ndihmonte Messina Denaro. Më shumë se 100 persona u arrestuan, duke përfshirë vëllezërit e motrat e Denaro, dhe u sekuestruan biznese me vlerë mbi 150 milionë euro.
“Kjo gradualisht e dobësoi rrjetin e tij dhe… përfundimisht e bëri atë më të prekshëm,”- tha gjenerali Teo Luzi. Perdeja e tymit kishte filluar të fashitej.
Ndërkohë janë përgjuar banesat e të afërmve të Messina Denaros. Ata duhet të kenë qenë të vetëdijshëm se bisedat e tyre po dëgjoheshin, dhe kështu flisnin vetëm për “njerëz me kancer” dhe “operacione kanceri” ose terma të përgjithshëm.
Megjithatë, kjo ishte e mjaftueshme për tu dhënë informacion hetuesve – veçanërisht për shkak të thashethemeve të gjata se Messina Denaro ishte i sëmurë.
Këto përgjime, të kombinuara me monitorimin e kërkimeve në internet për sëmundjen e Crohn dhe kancerin e mëlçisë nga bashkëpunëtorët e Messina Denaro, i shtynë karabinierët të dyshonin se bosi i mafies po kërkonte trajtim.
Më pas ata i mblodhën të dhënat e të gjithë pacientëve meshkuj me kancer të lindur në vitin 1962 pranë Trapanit, në Sicilinë perëndimore. Hetuesit filtruan jetën e tyre, duke e kufizuar kërkimin në 10 të dyshuar, më pas në pesë.
Një emër i tërhoqi ata: Andrea Bonafede, nipi i bosit të vdekur të mafies Leonardo Bonafede. Një burrë i identifikuar si Bonafede thuhet se ka bërë një operacion në Palermo dy herë, në 2020 dhe 2021.
Por, harta telefonike e vendosi telefonin e vërtetë të Bonafede-s shumë larg kryeqytetit sicilian, në një nga dy ditët që ai me sa duket ishte nën operacion.
Kur u rezervua një seancë kimioterapie nën emrin e tij, karabinierët e dinin se ky ishte shansi i tyre. Të hënën në mëngjes, më shumë se 100 anëtarë të forcave të armatosura rrethuan klinikën La Maddalena.
Messina Denaro ishte duke ecur drejt një kafeneje kur vuri re praninë e madhe të policisë. Ai bëri të kthehej prapa, por vuri re më shumë policë që ndodheshin jashtë rrugës. Ai nuk vrapoi. Ndoshta edhe ai e dinte se ishte thjesht çështje kohe.
Një nga oficerët, Kol Lucio Arcidiacono, tha për TGcom24 të Italisë se kishte gjuajtur Messina Denaro për tetë vjet dhe “ndjeu një valë emocioni” kur e pa atë. “Ishte ai – njeriu në fotografi që e kisha parë kaq shumë herë.”
Bosi i mafies – i cili thuhet se ishte “i sjellshëm dhe i butë” – u dërgua në një aeroport aty pranë dhe gjatë natës në një burg të sigurisë së lartë në L’Aquila, në rajonin qendror të Abruzzo, me aeroplan ushtarak.
Detajet se si jetonte Messina Denaro para arrestimit të tij tani kanë filluar të dalin. Ai jetonte në një shtëpi të thjeshtë në Campobello di Mazara, 116 km nga Palermo dhe vetëm 8 km nga vendlindja e tij, Castelvetrano.
Një fqinj i tha televizionit italian se ai e shihte shpesh burrin dhe se ata përshëndeteshin rregullisht. Sipas raporteve fillestare, policia nuk gjeti armë në strehë, por parfume luksoze, mobilje të shtrenjta dhe rroba të stilistëve.
Shija e Messina Denaro për artikujt e nivelit të lartë ishte e njohur. Kur u arrestua, thuhet se mbante një orë me vlerë 35,000 euro. Policia tha se ai nuk dukej si një “burrë i shkatërruar”, por dukej si “një burrë i rregulluar në gjendje të mirë ekonomike”.
Kërkimet në internet të bashkëpunëtorëve të tij mund të kenë kontribuar në arrestimin e Messina Denaro, por nuk ka gjasa që vetë shefi të ketë përdorur ndonjëherë teknologjinë për shkak të rrezikut për të lënë gjurmë dixhitale.
“Një bos mafioz, në mënyrë që të vazhdojë të veprojë i pashqetësuar, duhet të qëndrojë larg teknologjisë dhe të kthehet në një mënyrë jetese pothuajse primitive, duke u kthyer në rrënjët e komunikimit verbal dhe duke krijuar një kod sekret paralel dhe të sofistikuar komunikimi me aleatët e tij”, shpjegoi Prof Gialuz.
Italianët janë gëzuar nga arrestimi. Kryeministrja Giorgia Meloni fluturoi drejt e në Siçili për të uruar forcat e armatosura teksa lavdërimet u derdhën nga të gjitha anët e spektrit politik.
“Messina Denaro ishte kumbari i fundit i brezit më të egër të mafiozëve. Pasi u fsheh, Cosa Nostra ndryshoi plotësisht qëndrimin e saj, duke u bërë një organizatë më e heshtur dhe pothuajse e padukshme, e zhytur në ujë,”- tha gazetari Andrea Purgatori për BBC.
Mafiozi dikur mburrej se mund të mbushte një varrezë me viktimat e tij. Purgatori tha se deri në vitet 1990, vrasjet kryheshin në baza ditore. “Messina Denaro kreu disa nga krimet më të dhunshme dhe më mizoret që Italia mund të kujtojë,”- tha ai.
1. Në vitin 2002 ai u gjykua dhe u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë. Vrasjet e tij përfshijnë:
2. Vrasja e 1992 e prokurorëve antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino
3. Vrasja e Antonella Bonannos, e dashura shtatzënë e një bosi rival të mafies
4. Sulmet me bombë të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë, ku u vranë 10 persona
5. Rrëmbimi dhe vrasja e Giuseppe Di Matteo, djalit 11-vjeçar të një dëshmitari mafioz të kthyer në shtet. Djali u mbajt në robëri për dy vjet para se të vritej; trupi i tij u tret në acid për të mos lejuar që familja ta varroste
Profesoresha e kriminologjisë në Universitetin e Essex-it, Anna Sergi, i tha BBC-së se ishte e dyshimtë që Cosa Nostra mund të mbijetonte pa shefin e saj mitologjik, i cili ishte bërë simboli i qëndrueshmërisë së mafies.
“Kush do të marrë përsipër – ose në të vërtetë nëse dikush mundet – mbetet për t’u parë,” tha ajo. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




