3.75 miliardë dollarë, SHBA njofton paketën e re të ndihmës për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake prej 3.75 miliardë dollarësh për të ndihmuar Ukrainën dhe parnerët europianë ndërsa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon.
Pakoja e re përfshin ofrimin e pajisjeve në vlerë prej 2,85 miliardë dollarësh nga stoqet ekzistuese të ushtrisë amerikane për t’i siguruar Ukrainës automjete luftarake të këmbësorisë “Bradley”, sisteme artilerie, transportues të blinduar, raketa tokë-ajër, municione dhe pajisje të tjera.
Gjithashtu, një shumë prej 225 milionë dollarëve do t’i jepet Ukrainës në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak për të ndërtuar kapacitetin afatgjatë dhe për të mbështetur modernizimin e ushtrisë. Përpos kësaj, rreth 682 milionë dollarë do i ofrohen partnerëve evropianë për të nxitur dhe plotësuar donacionet e pajisjeve ushtarake në Ukrainë.
Paketa e re amerikane u detajua nga Shtëpia e Bardhë pasi Gjermania njoftoi se do të furnizonte Ukrainën me rreth 40 transportues të blinduar të personelit Marder në tremujorin e parë të këtij viti.
Gjermania ka dhënë tashmë ndihma të konsiderueshme ushtarake, duke përfshirë obusët, armët kundërajrore vetëlëvizëse Gepard dhe një sistem raketash tokë-ajër Iris-T, me tre të tjerë që do të pasojnë këtë vit.
Presidenti i Ukrainës,Volodomyr Zelenskiy, falenderoi Shtetet e Bashkuara për paketën e re të ndihmës ushtarake për vendin e tij, duke thënë kjo ta forcojë ushtrinë ukrainase edhe më shumë në fushëbetejë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



