Thyerje dhe shkatërrim për të mos pranuar humbjen, mbështetësit e ish presidentit Bolsonaro sulmojnë Kongresin brazilian

Mbështetësit e ish-presidentit brazilian të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro kanë sulmuar Kongresin brazilian, Gjykatën e Lartë dhe kanë rrethuar pallatin presidencial.
Skenat dramatike vijnë një javë pas inaugurimit të veteranit të presidentit të ri, Luiz Inácio Lula da Silva. Mbështetësit e Bolsonaros, të cilët refuzojnë të pranojnë se ai humbi zgjedhjet, thyen barrierat e policisë në kryeqytetin, Brasília.
Policia përdori gaz lotsjellës, por nuk arriti t’i zmbrapsë demonstruesit. Protestuesit kanë thyer xhamat, ndërsa të tjerë arritën në dhomën e Senatit, ku hodhën karrige dhe shkulën stolat. Mbështetësit e Bolsonaros bëjnë thirrje për dorëheqjen e Lula da Silvas.

Administrata e Bolsonaro më parë tha se po bashkëpunonte me tranzicionin e pushtetit , por udhëheqësi i ekstremit të djathtë nuk pranoi në mënyrë eksplicite humbjen e tij në zgjedhje dhe ai u largua nga vendi për në Shtetet e Bashkuara përpara inaugurimit të Lulës.
Ministri i Drejtësisë, Flavio Dino kishte autorizuar Forcat e Armatosura të vendosnin barrierat dhe të ruanin ndërtesën e kongresit për shkak të pranisë së vazhdueshme të mbështetësve pro Bolsonaros.
Mbështetësit kanë rrethuar edhe pallatin Presidencial, ku zyrtarët janë duke pritur që Forcat Ajrore t’i evakuojnë ata nga ndërtesa. Zyrtarët brazilianë dënuan veprimet e demonstruesve.

“Kongresi Kombëtar nuk ua ka mohuar kurrë zërin atyre që duan të demonstrojnë në mënyrë paqësore. Por ajo kurrë nuk do t’i japë hapësirë për trazira, shkatërrime dhe vandalizëm. Ata që janë përgjegjës për promovimin dhe nxitjen e këtij sulmi ndaj demokracisë braziliane dhe simboleve të saj kryesore duhet të identifikohen dhe ndëshkohen në përputhje me ligjin”, tha Arthur Lira, presidenti i Dhomës së Ulët të Kongresit në Twitter .
Sekretari Federal i Sigurisë së Qarkut Anderson Torres dhe ish-ministri i drejtësisë nën qeverinë e Bolsonaro i quajtën skenat “për të ardhur keq”.
Shumë po bëjnë krahasime me sulmin ndaj Kapitolit të SHBA më 6 janar 2021 nga mbështetësit e Donald Trump, një aleat i Bolsonaros.
Lula aktualisht është në një udhëtim zyrtar në shtetin e São Paulo. Në fjalimin e tij të inaugurimit, ai u zotua të rindërtojë një vend në “rrënoja të tmerrshme”, ndërsa dënoi politikat e paraardhësit të tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




