Rusia rinis sulmet në Ukrainë, në kundërshtim me armëpushimin e vetëshpallur

Rusia ka nisur sulmet në të gjithë Ukrainën, duke vrarë të paktën dy civilë, në kundërshtim me një armëpushim të njëanshëm, të vetëshpallur për kremtimin ortodoks të Krishtlindjeve.
Sulmet erdhën pasi SHBA njoftoi se do t’i dërgonte Ukrainës 3.75 miliardë dollarë të tjera armë dhe ndihma të tjera, duke përfshirë një ngarkesë të parë të automjeteve të blinduara Bradley të njohura si “vrasës tankesh”.
Automjetet e reja, së bashku me një dërgesë të ngjashme nga Gjermania dhe raketat e mbrojtjes ajrore Patriot nga të dy vendet, përfaqësojnë një shfaqje të unitetit të perëndimit me Kievin, mes spekulimeve se Moska mund të planifikojë një mobilizim të ri për të zgjeruar radhët e ushtrisë pushtuese.
Ukraina ka thënë se ka nevojë për mbrojtje ajrore për të mbrojtur infrastrukturën civile të shënjestruar nga Rusia dhe më shumë ndihmë ushtarake për të kaluar nëpër pozicionet e fortifikuara të vijës së parë të Rusisë. Zyrtarët e lartë kanë thënë se u duhen 600 deri në 700 automjete luftarake të këmbësorisë dhe 300 tanke.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, vlerësoi ndihmën e SHBA si “pikërisht atë që nevojitet”, ndërsa luftimet u ndezën në të gjithë vendin. Disa nga betejat më të ashpra po zhvilloheshin rreth qytetit të Kreminës, në Luhansk. Luftimet kanë shkatërruar një pjesë të madhe të qytetit dhe kanë marrë shumë jetë, më e fundit një burrë 66-vjeçar dhe një grua 61-vjeçare që u vranë nga granatimet; 13 të tjerë u plagosën.
Qeveria e Ukrainës e kishte refuzuar armëpushimin e njëanshëm si një lëvizje cinike të rusisë pas sulmeve të rënda gjatë festimeve më 25 dhjetor dhe gjatë festës së Vitit të Ri, që është një festë e rëndësishme në Ukrainë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



