Nga lufta në gjirin e Europës, te rritja e inflacionit dhe protestat ndaj regjimeve autoritare, ngjarjet që tronditën botën në 2022
2022 ishte viti i ngjarjeve më të pabesueshme që tronditën botën, ku sipas ekspertëve do të jetë viti që do të mbetet në histori. Nga nisja e një lufte në gjirin e Europës që nuk besohej kurrë se do të ndodhte në shekullin e 21 dhe kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore, deri tek rritja e inflacionit në të gjithë botën, ku njerëzit po përballen me çmime të larta të ushqimeve, karburanteve por edhe krizën energjetike.
Të gjitha këto lidhen sa me daljen e botës nga pandemia e COVID-19, luftën në Ukrainë por edhe ndryshimet klimatike ku bota po përballet me stuhi akulli, përmbytje dhe thatësira ekstreme aspak të zakonshme për zonat ku ndodhin.

24 shkurti 2022 do të shënojë datën që do të hyjë në histori, nisja e pushtimit rus ndaj Ukrainës. Një luftë e paprovokuar dhe e pabesuar se do ndodhte deri sa raketat e para tronditën Kievin dhe sytë e botës u kthyen në Ukrainë. Për habinë e Moskës dhe të shumicës së ekspertëve ushtarakë, Ukraina i rezistoi sulmit fillestar dhe me mbështetjen e Perëndimit sot ka mundur të largojë forcat ruse nga disa rajone.

Kriza energjetike ka përfshirë Europën, ndërsa inflacioni është rritur në të gjithë botën. Rritjet e çmimeve u nxitën nga një kombinim i çështjeve të kërkesës dhe ofertës. Dalja nga pandemia e COVID-19 ku kërkesa ishte e lartë, si dhe lufta në Ukrainë që ndërpreu zinxhirët globalë të furnizimit, krijuan mungesa në një gamë të gjerë mallrash duke ngritur çmimet në nivele që nuk ishin kapur kurrë më parë. Çmimet e larta kanë tronditur politikën si në vendet e pasura ashtu edhe në ato të varfra, ndërsa liderët përpiqeshin të trajtonin zemërimin në rritje të publikut.

Ndryshimet klimatike bënë të zakonshme fenomenet që mendoheshin se do të ndodhin shumë larg në të ardhmen. Ekstremet e motit në të gjithë botën u bënë të zakonshme, ku u shënuan shumë humbje jete. Evropa përjetoi valë rekord të nxehtit që dogjën pyjet dhe thanë lumenjtë, ku temperaturat shënonin mbi 40 gradën, ndërsa SHBA u përball me stuhitë e acarta më të rënda në histori ku temperaturat shënuan deri në -45 gradë. Ndërkohë disa vende janë përballur me përmbytjet më të mëdha duke shkaktuar jo vetëm viktima por dëme të konsiderueshme ekonomike.

Protestat në Kinë dhe Iran shënuan gjithashtu një ngjarje të paprecedentë. Protestat në të dyja vendet zgjatën për javë të tëra duke kundërshtuar regjimet e forta autoritare.
Me dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugë në Iran, për të protestuar mbi vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amin, e cila u vra në paraburgim se nuk kishte vendosur shaminë e kokës. Kjo bëri që Irani të “digjet” për ditë të tëra nga protestuesit dhe gratë të hidhnin shamitë e tyre në rrugë.
Edhe Kina u përfshi gjithashtu nga protesta masive që u shoqëruan me thirrjet për largim të udhëheqësit Xi Jinping për shkak të masave të rrepta kundër COVID-19. Protesta arriti të nxisë regjimin e Kinës që të bëjë lëshime duke lehtësuar kufizimet e lidhura me COVID-19.

Paqëndrueshmëria e politikës britanike gjithashtu tërhoqi vëmendjen e botës, ku për dy muaj u zgjodhën 2 kryeministra. Pas dorëheqjen së Boris Johnson, në krye të vendit u vendos Liz Truss e cila drejtoi vendin vetëm më 45 ditë, mandati më i shkurtër i çdo kryeministreje britanike në histori. Ajo “vulosi” fundin e saj duke ulur menjëherë taksat, veprim bëri që vlera e paundit britanik të bjerë. Pas saj u vendos Rishi Sunak, i cili u bë kryeministri i parë me ngjyrë i Britanisë.

Fitorja e Giorgia Melonit si kryeministrja e re e Italisë ishte gjithashtu një fakt mjaft i diskutueshëm. Kjo pasi në krye të qeverisë u vendos ekstremi i djathtë, ndërsa Meloni bëhet gruaja e parë që drejton vendin.

Vdekja e Mbretëreshës Elisabeth II, monarkia më jetëgjatë në Britaninë e Madhe. Mbretëresha Elisabeth II u nda nga jeta në moshën 96 vjeç pas 70 vitesh në fron. Vendi mbajti 17 ditë zie, ndërsa ajo u nderuar për herë të fundit nga liderët e të gjithë botës, ndërsa i gjithë populli britanik e gdhiu me ditë të tëra duke mbushur rrugët pranë Pallatit Buckingham për t’i dhënë lamtumirën.

Kupa e Botës 2022 në Katar ishte një nga ngjarjet mjaft të diskuara, që u shoqëruar edhe me skandalet e korrupsionit në Parlamentit Europian. Katari u bë vendi i parë arab në histori që priti Kupën e Botës, ku nuk munguan kritikat për mosrespektim të të drejtave të njeriut. Ky botëror zbuloi edhe një nga skandalet më të mëdha në Parlamentin Europian, ku zyrtarë të lartë akuzohen të jenë korruptuar nga Katari për “rrëzimin” e akuzave se nuk respekton të drejtat e njeriut që të lejohej zhvillimi i botërorit.
Përtej akuzave botërori solli surpriza dhe të papritura gjatë ndeshjeve, ndërsa triumfoi Argjentina duke mposhtur Francën, të cilat zhvilluan një prej ndeshjeve finaliste më të bukura në historinë e sportit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




