Lavrov: Ukraina duhet të çmilitarizohet ose këtë do ta bëjë Rusia

Ministri i Jashtëm rus paralajmëroi sërish sot Ukrainën se duhet të çmilitarizohet, duke kërcënuar me veprime të mëtejshme ushtarake, si dhe duke akuzuar në mënyrë të rreme Kievin dhe Perëndimin për nxitjen e luftës që filloi me pushtimin nga ana e Moskës.
Sergej Lavrov tha se Ukraina duhet të heqë dorë nga çdo kërcënim ushtarak ndaj Rusisë përndryshe “ushtria ruse do ta zgjidhë vetë çështjen”. Komentet e tij pasqyruan pretendimet e vazhdueshme e të pabaza nga Kremlini se Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë ishin përgjegjës për luftën 10-mujore, e cila ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, si dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.
Rusia nisi luftën më 24 shkurt, duke pretenduar një kërcënim për sigurinë e saj dhe një komplot për ta sjellë NATO-n në kufijtë e saj.
Lavrov përsëriti sot se Perëndimi po ushqente luftën në Ukrainë për të dobësuar Rusinë dhe tha se varet nga Kievi dhe Uashingtoni se sa do të zgjasë konflikti.
“Sa i përket kohëzgjatjes së konfliktit, topi është në anën e regjimit (Kiev) dhe të Uashingtonit që qëndron pas shpinës së tij”,- tha Lavrov për agjencinë shtetërore të lajmeve Tass. “Ata mund ta ndalojnë rezistencën e pakuptimtë në çdo moment.”
Në një reagim të tijin, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak shkroi në Tëitter se “Rusia duhet të përballet me realitetin”.
“As mobilizimi total, as kërkimi i panikut për municione, as kontratat sekrete me Iranin, as kërcënimet e Lavrov nuk do të ndihmojnë,”- tha ai. “Ukraina do ta çmilitarizojë deri në fund Federatën Ruse, do të dëbojë pushtuesit nga të gjitha territoret e okupuara. Prisni finalen në heshtje…”
Një ditë më parë, Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba i tha Associated Press se qeveria e tij dëshiron një samit për t’i dhënë fund luftës, por ai nuk parashikon që Rusia të marrë pjesë në këtë samit. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




