Shefi i NATO-s: Frikë se lufta në Ukrainë mund të shndërrohet në një konflikt më të gjerë

Kreu i NATO-s, gjatë një interviste, shprehu shqetësimin se luftimet në Ukrainë mund të dalin jashtë kontrollit dhe të shndërrohen në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s.
“Nëse gjërat shkojnë keq, ato mund të shkojnë edhe tmerrësisht më keq”,- tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një koment për transmetuesin norvegjez NRK.
“Është një luftë e tmerrshme në Ukrainë. Është edhe një luftë që mund të bëhet e plotë duke u përhapur në një luftë të madhe midis NATO-s dhe Rusisë”,- tha ai. “Ne po punojmë çdo ditë për ta shmangur këtë.”
Stoltenberg, një ish-kryeministër i Norvegjisë, tha në intervistë se “nuk ka dyshim se një luftë e plotë është e mundshme”, duke shtuar se ishte e rëndësishme që të shmangej një konflikt “që përfshin shumë vende në Evropë”.
Kremlini ka akuzuar vazhdimisht aleatët e NATO-s se janë bërë palë në konflikt duke i ofruar Ukrainës armë, duke trajnuar trupat e saj, si dhe duke ushqyer inteligjencën ushtarake për të sulmuar forcat ruse.
Në komentet që pasqyronin tensionet në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit, Presidenti Vladimir Putin sugjeroi se Moska mund të mendojë përdorimin e asaj që ai e përshkroi si konceptin e SHBA-së për një sulm parandalues.
“Duke folur për një goditje çarmatosëse, ndoshta ia vlen të mendohet miratimi i ideve të zhvilluara nga homologët tanë amerikanë, për të garantuar sigurinë e tyre,” tha ai.
Shumë kohë përpara luftës në Ukrainë, Kremlini shprehu shqetësimin për përpjekjet e SHBA-së për të zhvilluar të ashtuquajturën aftësinë Prompt Global Strike, që parashikon goditjen e objektivave strategjikë të një kundërshtari me armë konvencionale të drejtuara me saktësi kudo në botë brenda një ore.
Putin vuri në dukje se një sulm i tillë mund të shkatërrojë objektet komanduese.
“Ne po mendojmë për këtë, ata nuk kishin turp të flisnin hapur për të gjatë viteve të fundit,”- tha ai, duke pretenduar se raketat e lundrimit të drejtuara me saktësi të Moskës i tejkalojnë armët e ngjashme amerikane dhe se Rusia ka armë hipersonike që SHBA nuk i ka. Apnews
/rtsh.a/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




