Iran/ Shfuqizohet policia e moralit, u konsiderua shkaku i vdekjes se 22-vjeçares Mahsa Amini

Autoritetet iraniane kanë vendosur shfuqizimin e Policisë së Moralit si shkaktare për vdekjen e 22-vjeçares, Mahsa Amini.
“Policia e Moralit nuk ka lidhje me gjyqësorin dhe është shfuqizuar nga autoritetet që e kanë krijuar atë” bëri të ditur Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Jafar Montazeri.
Irani është përballur me protesta të përditshme që nga vdekja e 22-vjeçares Amini më 16 shtator, tre ditë pasi ajo u arrestua nga Policia e Moralit për mosmbajtjen e duhur të shamisë. Që atëherë, gratë iraniane kanë dalë në rrugë dhe disa kanë hequr ose djegur shamitë e tyre në publik.
Policia e Moralit, e njohur si Ghast-e-Ershad (patrulla orientuese), u krijua nën udhëheqjen e presidentit ultrakonservator të Iranit Mahmoud Ahmadinejad. Ajo përbëhet nga burra me uniformë jeshile dhe gra të veshura me çador të zi, një veshje që mbulon kokën dhe pjesën e sipërme të trupit. Kjo polici ka filluar patrullimin e saj në vitin 2006.
Autoritetet iraniane i kërkuan gjyqësorit dhe parlamentit të rishikojnë një ligj të vitit 1983 për përdorimin e detyrueshëm të shamisë, në përpjekje për të frenuar valën e protestave që ka shpërthyer prej më shumë se dy muajsh në vend pas vdekjes së Mahsa Amini. Sipas ligjit të vitit 1983, gratë në Iran, vendase dhe të huaja, pavarësisht nga feja, duhet të mbajnë shami dhe veshje të gjera në publik.
Që nga 5 Korriku, një ligj i ri për shaminë i promovuar nga presidenti iranian Ebrahim Raishi vendosi kufizime të reja për gratë ku sipas tij, shamia duhet të mbulojë jo vetëm flokët e tyre, por edhe qafën dhe shpatullat.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




