Samiti i Klimës/ Presidenti i Brazilit: Nuk ka siguri klimatike për botën pa një Amazonë të mbrojtur

Botë | 4 vite më parë

“Brazili është kthyer”, kështu ka thënë presidenti i sapozgjedhur, Luiz Inácio Lula da Silva në samitin e OKB-së për klimën COP27. Duke hyrë në një dhomë me mbështetës që thërrisnin emrin e tij, Lula premtoi të rivendoste pyllin tropikal të Amazonës dhe të ndiqte “kriminelët” e klimës.

Vetëm dy javë pas fitores në zgjedhje, Lula po bën paraqitjen e tij të parë në skenën ndërkombëtare, duke takuar liderë të SHBA, Kinës dhe vendeve të BE në konferencën për klimën.

“Ne duhet të ndalojmë këtë nxitim drejt humnerës. Nuk ka siguri klimatike për botën pa një Amazonë të mbrojtur. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të patur zero shpyllëzime dhe degradim të biosistemeve tona“, tha ai, duke shtuar se ndryshimi i klimës do të kishte përparësinë më të lartë për qeverinë e tij.

Ndërsa nuk ka dyshim se presidenti i Brazilit është plot ambicie kur bëhet fjalë për trajtimin e ndryshimeve klimatike, analistët thonë se sfida do të jetë realizimi i këtyre premtimeve. Brazili është thellësisht i ndarë për kthimin e Lulës në pushtet dhe puna e tij për të bashkuar vendin nuk do të jetë e lehtë.

Presidenti tha në samit se Brazili do të provonte se ishte e mundur të gjenerohej pasuri pa shkatërruar mjedisin, duke thënë se ishte e pamundur të ndahej lufta kundër ngrohjes globale nga varfëria. Me një ton më të ashpër, ai tha se Brazili do të sigurojë që vendet në zhvillim të marrin paratë që u nevojiten për t’u marrë me efektet e ndryshimeve klimatike./ BBC

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme