SHBA: 100,000 trupa ruse janë vrarë ose plagosur në Ukrainë

Botë | 4 vite më parë

Tërheqja e paralajmëruar e Rusisë nga Kherson, një kryeqytet rajonal në Ukrainën jugore, të cilin ajo e pushtoi në fillim të luftës, si dhe dimri që po afron, mund t’u ofrojë të dyja vendeve një mundësi për të negociuar për paqe. Deklarata u bë nga gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley.

Ai tha se deri tani të paktën 40,000 civilë ukrainas dhe mbi 100,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur gjatë këtyre 9 muajve luftë.

“Të njëjtën gjë mund të themi edhe për anën ukrainase,”- shtoi Milley.

“Ka pasur vuajtje të mëdha njerëzore,”- tha ai në Klubin Ekonomik të Nju Jorkut.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se ishte i hapur për bisedime paqeje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, me kushtet që Rusia t’i kthejë Ukrainës të gjitha tokat e pushtuara, kompensim për dëmet e luftës, si dhe ndjekje penale për ata që kanë kryer krime lufte.

Edhe Rusia ka thënë se është e hapur për bisedime, duke njoftuar se kishte filluar tërheqjen nga Kherson.

Zelenskyy ka paralajmëruar se rusët mbase po ngrejnë një kurth me tërheqjen nga Kherson, me qëllimin për ta futur ushtrinë ukrainase në  betejë në rrënojat e qytetit port strategjik industrial, që është një portë për në Gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia.

Milley, oficeri më i lartë ushtarak amerikan, tha se Rusia kishte rreth 20,000 deri në 30,000 trupa në Kherson, ndaj një tërheqje e plotë mund të zgjasë disa javë.

“Treguesit fillestarë janë se ata po e bëjnë këtë. Unë besoj se po e bëjnë për të ruajtur forcën e tyre, për të rivendosur linja mbrojtëse në jug të lumit (Dnieper), por kjo mbetet për t’u parë”,- tha ai.

Milley tha se është e mundur që rusët të përdorin tërheqjen e tyre, për t’i përgatitur trupat për një ofensivë pranverore, por “gjithësesi ka një mundësi për negociata”.

Por që negociatat të kenë një shans, si Rusia dhe Ukraina do të duhet të arrijnë një “njohje reciproke”, pasi një fitore ushtarake “ndoshta nuk mund të arrihet përmes mjeteve ushtarake, ndaj duhen mjete të tjera,”- tha Milley, duke cituar si shembull fundin e Luftës së Parë Botërore. Apnews

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme