Samiti COP27 për klimën: Miliona njerëz po vuajnë nga ndryshimet klimatike! Koha për të vepruar po mbaron

Të dërguar nga e gjithë bota u mblodhën këtë të dielën (6 nëntor) në vendpushimin bregdetar egjiptian të Sharm el-Sheikh për bisedime mbi trajtimin e ndryshimeve klimatike, mes krizave të shumta dhe të ndërlidhura, duke përfshirë luftën në Ukrainë, inflacionin e lartë, mungesën e ushqimit dhe krizën e energjisë.
Duke shënuar fitoren e parë të vogël, negociatorët ranë dakord pas dy ditësh të mundimshme bisedimesh paraprake për të diskutuar zyrtarisht çështjen e vendeve të cenueshme që të marrin para për humbjet dhe dëmet që kanë pësuar nga ndryshimet klimatike. Çështja ka dominuar bisedimet për vite me radhë, me vendet e pasura, përfshirë SHBA-në, që e shmangin idenë e kompensimit klimatik.
“Fakti që është miratuar si një pikë e rendit të ditës tregon përparim dhe se palët po mbajnë një qëndrim të pjekur dhe konstruktiv ndaj tij. Kjo është një çështje e vështirë, mbi 30 vjet që rri pezull. Besoj se ky është një ogur i mirë“, tha zyrtari më i lartë i klimës i OKB-së, Simon Steele.
Zyrtari britanik Alok Sharma, tha se vendet kishin bërë përparim të rëndësishëm në takimin e tyre të fundit në Glasgow për të mbajtur “të gjallë” qëllimin për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit.
Ekspertët vlerësojnë se shanset për arritjen e këtij qëllimi, të rënë dakord në Marrëveshjen e Parisit për Klimën në vitin 2015, po ikin me ritme të shpejta. Tashmë, temperaturat në mbarë botën janë rritur me rreth 1.2 gradë Celsius që nga epoka para-industriale.
Shefi i diplomacisë egjiptiane dhe presidenti i COP27 , Sameh Shoukry , deklaroi se Egjipti “nuk kursen asnjë përpjekje” për ta bërë Samitin të suksesshëm dhe për sa i përket synimeve të Marrëveshjes së Parisit.
Megjithatë, ulja e emetimeve të gazeve serrë është vetëm një pjesë e punës. Shkencëtarët dhe aktivistët po bëjnë thirrje për veprime praktike në mënyrë që bota të përshtatet me efektet e ngrohjes globale që nuk mund të shmangen më.
Kreu i agjencisë së migracionit të OKB-së i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mobilizojë burimet njerëzore dhe financiare për të trajtuar migrimin në rritje prej ndryshimeve të klimës.
Drejtori i përgjithshëm i IOM-it, Antonio Vitorino se miliona njerëz në mbarë botën “po vuajnë tashmë në jetën e tyre të përditshme për shkak të efekteve të fatkeqësive natyrore dhe ndryshimeve klimatike”.
“Koha për të vepruar po mbaron. Komuniteti ndërkombëtar duhet të mobilizojë njohuritë, burimet njerëzore dhe burimet financiare për të mbështetur ata që tashmë janë prekur seriozisht nga ndryshimet klimatike”, tha Vittorino.
Me më shumë se 40,000 pjesëmarrës, bisedimet e këtij viti pasqyrojnë një ndjenjë urgjence pasi ngjarjet e mëdha dhe ekstreme të motit në mbarë botën prekin shumë njerëz dhe kushtojnë miliarda dollarë.
Organizatorët thonë se rreth 110 liderë botërorë do të marrin pjesë, shumë prej të cilëve do të flasin në një ngjarje të nivelit të lartë më 7-8 nëntor, ndërsa presidenti i SHBA Joe Biden pritet të arrijë më vonë gjatë javës.
Por figurat kryesore si presidenti kinez Xi Jinping dhe kryeministri indian Narendra Modi nuk do të marrin pjesë, duke hedhur dyshime nëse bisedimet në Egjipt mund të prodhojnë marrëveshje kuptimplote dhe realiste për reduktimin e emetimeve.
Kina lëshon deri tani sasitë më të mëdha të dioksidit të karbonit, një përbërës i prodhuar kryesisht nga konsumi i lëndëve djegëse fosile si nafta, gazi natyror dhe qymyri. Emetimet e tij zënë afërsisht 25% të totalit, ndërsa së bashku me SHBA-në dhe Indinë, që janë në vendin e dytë dhe të tretë, përqindja arrin në 50%./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




