Zgjedhjet/ Biden thirrje kandidatëve: Refuzimi i humbjes, çon vendin drejt kaosit

Botë | 4 vite më parë

Në prag të zgjedhjeve për Kongresin në SHBA, Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar çdo kandidat që refuzon të pranojë humbjen në zgjedhjet afatmesme të javës së ardhshme se mund ta vendosë vendin në “rrugën e kaosit”.  Ai bëri thirrje për mos përdorimin e dhunës politike në votimin e 8 nëntorit, ndërsa deklaroi se ish-presidenti Donald Trump dhe mbështetësit e tij po shisnin “gënjeshtra konspirative dhe ligësie”. Duke iu referuar si ish-presidenti i mundur, Biden fajësoi Trump se po nxiste disa nga kandidatët për të refuzuar pranimin e humbjes në rezultatet e zgjedhjeve. “Kjo është rruga drejt kaosit në Amerikë. Është e paprecedentë. Është e paligjshme. Dhe është joamerikane”, tha Biden.

Presidenti gjithashtu kërkoi të lidhë retorikën zgjedhore të Trump me një sulm me çekiç javën e kaluar ndaj bashkëshortit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Gënjeshtra e madhe e zotit Trump se zgjedhjet e vitit 2020 ishin vjedhur” ishte forca shtytëse pas sulmit ndaj 82-vjeçarit Paul Pelosi dhe trazirave të Kapitolit të SHBA. Është një gënjeshtër që nxiti rritjen e rrezikshme të dhunës politike dhe frikësimit të votuesve gjatë dy viteve të fundit,” tha Biden.

Republikanët reaguan ndaj komenteve të Biden duke argumentuar se ai po përpiqej të shpërqendronte amerikanët nga vlerësimet e tij të ulëta të miratimit dhe inflacioni në SHBA.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme