SHBA: Ushtarakë të lartë rusë kanë diskutuar për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë

Udhëheqësit e lartë ushtarakë rusë, muajin e kaluar, diskutuan se kur mund t’i përdorin armët bërthamore në fushën e betejës në Ukrainë. Kjo u bë e ditur nga dy zyrtarë amerikanë për CBS News. Vladimir Putin nuk ishte përfshirë në këto bisedime.
Shtëpia e Bardhë tha se ishte “gjithnjë e më shumë e shqetësuar” mbi mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore gjatë muajve të fundit. Por theksoi se “SHBA-të nuk kanë parë asnjë shenjë se Rusia po përgatitej që t’i përdorë”.
Ky vlerësim është në të njëjtën linjë me analizat e inteligjencës perëndimore se Moska nuk i ka lëvizur armët e saj bërthamore.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, akuzoi Perëndimin për “fryrje të qëllimshme të kësaj teme”, megjithëse diskutimet e ushtarakëve rusë të nivelit të lartë në mes të tetorit, janë një sinjal.
Në fund të shtatorit, presidenti Putin përshkallëzoi retorikën bërthamore dhe antiperëndimore, duke folur për përdorimin e të gjitha mjeteve që kishte në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe tokat e pushtuara të Ukrainës, që ai ka aneksuar.
“Ky nuk është një bllof,”- tha ai, duke akuzuar Perëndimin për shantazh bërthamor.
Në përgjigje të raportimeve të mediave amerikane se Rusia kishte diskutuar për përdorimin e armëve bërthamore, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby tha: “Ne jemi gjithnjë e më shumë të shqetësuar për rrezikun”.
Ndërsa përparimi i Rusisë në fushën e betejës është zbehur, kërcënimet e saj bërthamore janë rritur. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




