Zgjedhjet në Brazil, shqetësime se Bolsanaro nuk do të pranojë humbjen

Botë | 4 vite më parë

Brazili po përgatitet të votojë, në një nga zgjedhjet më vendimtare në historinë demokratike të vendit. Rezultati do të ketë ndikim të madh në politikën ndërkombëtare dhe në të ardhmen ekologjike të botës.

Në orët e fundit të garës midis presidentit të djathtë, Jair Bolsanaro dhe ish-udhëheqësit të krahut të majtë Lula Inacio Lula da Silva, i njohur gjerësisht thjesht si Lula, u lëshuan akuza dhe kundërakuza, si dhe paralajmërime të përsëritura për dhunë të mundshme.

Ka shqetësime serioze se Bolsanaro, një ish-kapiten i ushtrisë, që pëlqen emrin e tij “Trump of the Tropics”, do refuzojë të pranojë humbjen dhe të shkaktojë konfrontime të dhunshme me mbështetësit e tij të armatosur që dalin nëpër rrugë.

Ndërsa fushata po mbyllej, Donald Trump ndërhyri për t’i nxitur votuesit të bllokojnë Lulën, për të cilin ai pretendoi se ishte “një i çmendur radikal i majtë që do të shkatërrojë vendin tuaj”. 

Ish-presidenti amerikan, kishte deklaruar më parë se “Jair Bolsonaro dhe unë jemi bërë miq të shkëlqyeshëm gjatë viteve të fundit. Ai është një njeri i mrekullueshëm dhe ka mbështetjen time të plotë”.

Një nga djemtë e Bolsanaros, Eduardo, ka takuar mbështetësit e Trump në SHBA. Një tjetër, Flavio, senator brazilian, përdori fjalë identike me ish-presidentin amerikan kur humbi zgjedhjet në SHBA, duke pretenduar se babai i tij do të jetë “viktima e mashtrimit më të madh elektoral të parë ndonjëherë”.

Administrata Biden ka deklaruar se do të lëvizë me shpejtësi për të njohur fituesin. Senati i SHBA-së ka miratuar një rezolutë që i kërkon qeverisë braziliane të sigurojë zgjedhje “të lira, të drejta, të besueshme, transparente dhe paqësore”, si dhe ka paralajmëruar se SHBA do të rishikojë në mënyrë kritike marrëdhëniet me një regjim që vjen në pushtet përmes metodave antidemokratike, duke përfshirë një “grusht shteti ushtarak”. Independent

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme