Turqi/ Shpërthen miniera e qymyrit, të paktën 25 të vdekur, dhjetëra të bllokuar

Botë | 4 vite më parë

Të paktën 25 persona humbën jetën dhe 28 të tjerë u plagosën nga shpërthimi në një minierë qymyri në veriperëndim të Turqisë. 11 punëtorë të tjerë janë shtruar me plagë në spital, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të bllokuar.

Shpërthimi ka ndodhur në një thellësi prej 300 metrash nga hyrja e minierës në qytetin Amasra, ndërsa brenda saj ndodheshin rreth 110 punëtorë në momentin e shpërthimit.

Ministri i Brendshëm e ka konsideruar një situatë të trishtuar shpërthimin në minierë. “Ne po përballemi me një situatë të trishtuar,” tha ministri i brendshëm turk Suleyman Soylu , i cili vizitoi skenën e tragjedisë së bashku me ministrin e Energjisë Fatih Donmez .

Presidenti Recep Tayyip Erdogan anuloi takimet e tij të planifikuara për të udhëtuar sot në rajon. Në një postim në Twitter, ai shprehu shpresën që numri i të vdekurve të mos rritet më tej dhe minatorët që mbeten të bllokuar në galeri të çlirohen shëndoshë e mirë.

Ekuipazhet e urgjencës vijojnë punën duke gërmuar nëpër shkëmb në përpjekje për të arritur më shumë të mbijetuar. Miniera i përket ndërmarrjeve shtetërore turke të qymyrit të fortë.

Aksidenti fatal ngjalli kujtimet e tragjedisë së vitit 2014 në një minierë qymyri në qytetin perëndimor turk të Soma, ku mbetën të vrarë 301 punëtorë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme