Simbol i solidaritetit energjetik/ Franca dërgon gaz direkt në Gjemani, jo më nga Belgjika

Botë | 4 vite më parë

Për herë të parë Franca ka nisur të dërgojë gaz direkt në Gjermani, ndërsa deri më tani i ka dërguar nëpërmjet Belgjikës.

“Është diçka historike, hera e parë që Franca do të dërgojë gaz direkt në Gjermani. Deri tani ne i dërgojmë gaz fqinjit tonë përmes Belgjikës”, tha Thierry Trouvet, menaxher i përgjithshëm i GRTgaz, kompania që menaxhon rrjetin francez të transmetimit të gazit.

Këto dërgesa të para konkretizojnë një marrëveshje ndihme reciproke të zyrtarizuar më 5 shtator midis liderëve të dy vendeve, me synimin për të luajtur një rol të solidaritetit evropian në një kohë kur gazi është i kërkuar dhe çmimi i tij është marramendës.

Dërgesat e para të gazit drejt Gjermanisë ishin në sasi prej 31 gigavat orë (GWh)/ditë. Niveli i këtyre dërgesave do të rivlerësohet çdo ditë në bazë të kushteve të rrjetit dhe do të jetë në gjendje të arrijë një sasi maksimale prej 100 GWh/ditë.

Pas pushtimit të Ukrainës, Rusia uli ndjeshëm dërgesat e gazit në Evropë, disa prej vendeve të së cilës ishin shumë të varura prej saj, si Gjermania, e cila ka nevojë për këtë energji për të drejtuar fabrikat dhe ekonominë e saj.

Franca ka më shumë gaz se fqinji i saj sepse ka pasur dërgesa masive nga Norvegjia si dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA, të cilat pjesërisht e kanë lejuar atë të mbushë rezervat e saj dimërore në 100%.

Prandaj, të dy udhëheqësit ranë dakord që Franca do t’i dërgonte më shumë gaz Gjermanisë, e cila në këmbim mund të siguronte, nëse është e nevojshme, energji elektrike për fqinjin e saj, ku prodhimi i energjisë bërthamore është në pikën më të ulët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme