Shpërthimi në urën që lidh Rusinë me Krimenë, Moska arreston 8 persona

Rusia ka deklaruar se ka arrestuar tetë persona në lidhje me shpërthimin e së shtunës në urën kyçe që lidh Rusinë me Krimenë. Shërbimi i saj i sigurisë (FSB) tha se pesë nga të arrestuarit ishin rusë, ndërsa të tjerët ishin ukrainas dhe armenë. FSB ka akuzuar shërbimet e sigurisë ukrainase se qëndojnë pas sulmit.
Shpërthimi në urën e Krimesë ishte një goditje e fuqishme simbolike për presidentin rus Vladimir Putin, i cili hapi urën në vitin 2018, katër vjet pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Presidenti Putin e quajti atë një “akt terrorizmi”, duke thënë se forcat e inteligjencës së Ukrainës kishin synuar të shkatërronin një pjesë kritike të infrastrukturës civile të Rusisë. Forcat ruse u kundërpërgjigjën të hënën me një valë sulmesh raketore në të gjithë vendin, duke përfshirë Kievin qendror, duke vrarë 19 persona.
Pas sulmeve të tjera të martën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar vendeve që të “godasin” Rusinë me më shumë sanksione në përgjigje të “një valë të re terrori”. Ai i bëri thirrje Perëndimit që të gjejë mënyra të reja për të ushtruar presion politik ndaj Rusisë dhe për të mbështetur Ukrainën.
Thirrjet erdhën pasi Zelensky zhvilloi një takim online me G7. Blloku, i cili përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA, premtoi të vazhdojë të ofrojë mbështetje “financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike dhe ligjore” për Ukrainën për aq kohë sa do të duhet.
NATO tha gjithashtu se do të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




