Zgjedhjet/ Evropa me sytë nga Italia. E djathta ekstreme drejt pushtetit?

Botë | 4 vite më parë

Italianët po vendosin nëse do të zgjedhin qeverinë e tyre më të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore, në një zgjedhje që po ndiqet nga afër në të gjithë Evropën. Giorgia Meloni drejton partinë e ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë”, dhe po synon të bëhet kryeministrja e parë femër e vendit, në koalicion me dy parti të tjera të djathta.

Ajo e ka zbutur imazhin e saj dhe shprehet se i vjen keq që e lidhin me të kaluarën fashiste të Italisë. Pothuajse 51 milionë italianë kanë të drejtë vote, në një votim që zgjat deri në orën 23:00.  Deri në mesditë, pjesëmarrja ishte më shumë se 19%, e ngjashme me zgjedhjet e fundit katër vjet më parë. U raportuan radhë të gjata në disa qendra votimi në Romë.

Rivali kryesor i zonjës Meloni është lideri i qendrës së majtë, Enrico Letta. Ai votoi në kryeqytet, ndërsa aleati i Melonit i ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, votoi në Milano. Janë 2.6 milionë votues që votojnë për herë të parë, si dhe 4.7 milionë votues jashtë vendit.  Exit poll-et do të dalin kur të mbyllen qendrat e votimit.

Risi e votimit në Itali është edhe kuponi kundër mashtrimit në fletët e votimit. Në momentin që votuesit dalin nga kabina, karta nuk futet menjëherë në kuti, por i dorëzohet kryetarit të komisionit të votimit, i cili fillimisht duhet të heqë kuponin.

Giorgia Meloni mbështet sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe ka zbutur retorikën ndaj Evropës. Por ajo ende përqafon një slogan të vjetër të adoptuar nga fashistët e Benito Musolinit: “Zot, atdhe dhe familje”.  Ajo gjithashtu ka folur kundër “lobit LGBT” dhe bëri thirrje për një bllokadë detare të Libisë për të ndaluar migrimin. Në zgjedhjet në Itali, deri në orën 19.00, kanë votuar 51,25% e atyre që kanë të drejtë vote. 

Se çfarë qeverie mund të ketë ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, po vëzhgohet nga afër në Evropë, duke pasur parasysh kritikat e Melonit ndaj “burokratëve të Brukselit”, si dhe lidhjet e saj me liderë të tjerë të krahut të djathtë. Ajo mbrojti kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, pasi Komisioni Evropian rekomandoi pezullimin e miliarda eurove në fondet për Hungarinë, pas shqetësimeve rreth shkeljeve demokratike dhe keqmenaxhimit të parave të BE-së. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme