Blinken takon Ministrat e Jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit: Koha që diplomatët të kthehen në tryezë

Botë | 4 vite më parë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është takuar sot (20 shtator) me Ministrin e Jashtëm armen Ararat Mirzoyan dhe Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit lidhur me luftën që shpërtheu mes dy vendeve javët e fundit. Por ndonëse më 15 shtator Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord për armëpushim, Blinken u ka përcjellë në takim dy ministrave mesazhin se është koha që diplomatët të kthehen në tryezë.

“Sot prita bisedimet e drejtpërdrejta mes ministrit të Jashtëm armen@AraratMirzoyan dhe ministrit të Jashtëm të Azerbajxhanit @bayramov_jeyhun. Siç e kam përcjellë gjatë takimit, është koha që trupat të shkëputen dhe diplomatët të kthehen në tryezë”, shkruan Blinken në rrjetin social Twitter.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike janë acaruar që nga viti 1991 për enklavën e diskutueshme të Nagorno-Karabakut. Konflikti për kontrollin e saj u përshkallëzua përsëri në vjeshtën e vitit 2020, kur shpërtheu një luftë 44-ditore, gjatë së cilës forcat azere morën kontrollin e disa sektorëve. Lufta përfundoi falë një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia, por Baku dhe Jerevani herë pas here kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit përgjatë kufirit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme