Funerali i Mbretëreshës, publikohet se kush nga liderët botërorë është ftuar, kush jo

Funerali i Mbretëreshës do të jetë një nga tubimet më të mëdha të familjes mbretërore dhe politikanëve, i cili do të organizohet në Mbretërinë e Bashkuar. Ftesat u bënë gjatë fundjavës, me rreth 500 krerë shtetesh dhe personalitete të huaja që pritet të marrin pjesë.
Shumica e liderëve u është kërkuar të mbërrijnë me fluturime komerciale,si dhe u është thënë se do të transportohen masivisht me autobus nga një zonë në perëndim të Londrës.
Ceremonia do të zhvillohet në Westminster Abbey, e cila ka një kapacitet për rreth 2200 persona. Ja çfarë dihet deri tani se kush do të jetë i pranishëm dhe kush jo.
Familjet mbretërore evropiane

Priten anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa, shumë prej të cilëve ishin të afërm gjaku të Mbretëreshës. Mbreti Philippe i Belgjikës dhe Mbretëresha Mathilde kanë konfirmuar se do të jenë aty, ashtu si edhe Mbreti Willem-Alexander i Holandës dhe gruaja e tij, Mbretëresha Maxima, së bashku me nënën e tij, ish-mbretëresha holandeze, Princesha Beatrix. Mbreti Felipe dhe mbretëresha Letizia e Spanjës kanë pranuar gjithashtu një ftesë, si dhe familjet mbretërore të Norvegjisë, Suedisë, Danimarkës dhe Monakos.
Presidentët e SHBA

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti Joe Biden do të marrë pjesë së bashku me Zonjën e Parë Jill Biden, edhe pse thuhet se ata nuk do të udhëtojnë me shërbimin me autobus.
Shumë diskutime ishin fokusuar nëse Presidenti Biden do të ftonte paraardhësin e tij, Donald Trump, për të qenë pjesë e delegacionit amerikan, por kufizimet në madhësinë e delegacionit nënkuptojnë se ish-presidentët nuk do të jenë domosdoshmërisht në gjendje të marrin pjesë.
Ka pasur spekulime se disa ish-presidentë dhe zonja të para – veçanërisht Obama – mund të marrin ftesa private. Jimmy Carter, i cili shërbeu si president nga viti 1977 deri në 1981, nuk ka marrë ftesë, tha zyra e tij për Politico.
Udhëheqësit e Commonwealth

Pritet që të marrin pjesë liderë nga i gjithë Komonuelthi, ku Mbretëresha shërbyer si kreu i Commonwealth, gjatë gjithë mbretërimit të saj. Kryeministri australian Anthony Albanese ka pranuar një ftesë, ashtu si kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, si dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Një numër guvernatorësh të përgjithshëm që shërbejnë si përfaqësues i monarkut në mbretërin e Komonuelthit, pritet të marrin pjesë bashkë me udhëheqësit e vendeve të tyre. Kryeministri afatgjatë i Bangladeshit Sheikh Hasina dhe presidenti i Sri Lankës Ranil Wickremesinghe, thuhet se kanë pranuar ftesat. India do të përfaqësohet nga Presidenti, Droupadi Murmu.
Liderë të tjerë botërorë

Udhëheqës të tjerë botërorë thuhet se kanë pranuar ftesat që përfshijnë Taoiseachin irlandez Micheal Martin, presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, presidentin italian Sergio Mattarella, si dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk-Yeol dhe ai brazilian Jair Bolsonaro, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
Udhëtimi pritet të bëhet edhe nga perandori japonez Naruhito, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, si dhe presidenti francez Emmanuel Macron. Nuk dihet nëse presidenti kinez Xi Jinping, vizitat e të cilit në Kazakistan dhe Uzbekistan këtë javë do të shënojnë herën e parë që ai largohet nga Kina që nga fillimi i pandemisë Covid-19, do të marrë ftesë apo do ta pranonte atë.
Republika Islamike e Iranit, prej kohësh subjekt i sanksioneve ndërkombëtare për programin e saj bërthamor, do të përfaqësohet vetëm në nivel ambasadori, thanë burimet e Whitehall.
Të paftuar

Përfaqësues nga Siria, Venezuela dhe Afganistani, nuk janë ftuar, kanë thënë burime të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për James Landale të BBC-së. Kjo, pasi Britania e Madhe nuk ka marrëdhënie të plota diplomatike me këto vende. Dhe Koreja e Veriut (DPRK) dhe Nikaragua janë ftuar të dërgojnë vetëm ambasadorë, jo krerët e shteteve.
Askush nga Rusia, Bjellorusia dhe Myanmar, nuk është ftuar. Marrëdhëniet diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë janë shembur që nga pushtimi rus i Ukrainës. Një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin tha se ai “nuk po e konsideronte” pjesëmarrjen në funeral.
Pushtimi u nis pjesërisht nga territori i Bjellorusisë, presidenti i së cilës, Aleksandr Lukashenko, është një aleat i ngushtë i Presidentit Putin. Mbretëria e Bashkuar ka zvogëluar ndjeshëm praninë e saj diplomatike në Myanmar, që nga një grusht shteti ushtarak në vend në shkurt 2021. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




